Franca do të nisë shërbimin vullnetar ushtarak – Macron prezanton program 10-mujor për të rinjtë, me pagesë dhe trajnim bazë ushtarak

Europë | 11 muaj më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të shpallë këtë të enjte krijimin e një shërbimi të ri ushtarak vullnetar gjatë një vizite në bazën e Brigadës së 27-të Malore në Varces.

Plani i ri synon të forcojë lidhjen mes ushtrisë dhe qytetarëve pa rikthyer shërbimin e detyrueshëm, me Macron ka theksuar më herët se projekti është vullnetar dhe nuk ka lidhje me dërgimin e të rinjve në Ukrainë. 

Programi do të zgjasë 10 muaj dhe i ofron të rinjve trajnim bazë ushtarak. Pjesëmarrësit do të paguhen rreth 900 deri në 1,000 euro në muaj. Fillimisht pritet të regjistrohen rreth 2,000 deri në 3,000 vullnetarë, me shpresën që në vitet e ardhshme ky numër të arrijë deri në 50,000 rekrutë në vit.

Macron ka thënë se ky shërbim do të ndihmojë në forcimin e rezervave ushtarake të vendit, pasi sipas tij kërcënimet e reja ndërkombëtare kërkojnë një përgatitje më të gjerë të shoqërisë. Ai u ka kërkuar qytetarëve ta shohin këtë shërbim si mundësi për të kontribuar në sigurinë e vendit.

Iniciativa vjen ndërsa Parlamenti francez po diskuton masa për të rritur kapacitetet mbrojtëse. Ministrat francezë të mbrojtjes e kanë mbështetur këtë hap duke e quajtur të nevojshëm për kohën që po kalon Evropa.

Programi i ri vjen tre dekada pasi ish-presidenti Jacques Chirac hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 1996, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e politikës së mbrojtjes franceze.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme