Fryrje dhe mavijosje në gjymtyrë, Shtëpia e Bardhë reagon për shëndetin e Trump

Presidenti Donald Trump është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje e zakonshme shëndetësore që prek qarkullimin e gjakut në këmbë, bëri të ditur të enjten Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke lexuar një letër nga mjeku i Donald Trump, njoftoi se presidentit amerikan iu bë një vlerësim për ënjtje në pjesën e poshtme të këmbëve.
“Testet zbuluan pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje beninje. Një mavijosje e lehtë në dorën e tij është e pajtueshme me shtrëngimet e shpeshta të duarve. Funksioni i zemrës së tij është normal“, tha ajo. Leavitt po reagonte në këtë mënyrë ndaj fotove që u shfaqën në media që tregonin kyçet e këmbëve të fryra të Trump dhe mavijosjet në duar.
Mjeku i presidentit, kapiten Sean Barbabella, sqaroi në një shënim se “ekografia Doppler e kryer në këmbë zbuloi pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje e shpeshtë tek personat mbi 70 vjeç, që ndodh kur valvulat në venat e këmbëve nuk mbyllen siç duhet dhe lejojnë gjakun të grumbullohet”.
Megjithatë, nuk ka vend për shqetësim. “Nuk u konstatua trombozë e thellë venoze apo probleme me arteriet. Testet laboratorike dhe ekokardiograma rezultuan brenda normës, pa shenja të dëmtimit të zemrës, veshkave apo sëmundjeve sistemike”, theksoi Leavitt.
Pamjaftueshmëria venoze është një problem që prek rreth 150 mijë njerëz çdo vit vetëm në SHBA, dhe simptomat përfshijnë ënjtje, dhimbje, ndryshime të lëkurës apo vena me variçe. Zakonisht menaxhohet me trajtim mjekësor ose procedura të specializuara, në varësi të fazës së gjendjes.
Ekspertët shëndetësorë kanë konfirmuar se ky është një zhvillim normal për një person të moshës dhe peshës së ish-presidentit.
Pavarësisht diagnozës, Trump mbetet në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk po përjeton ndonjë shqetësim, u bë e ditur nga Shtëpia e Bardhë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



