FSHF diplomon 24 video-analistë të rinj, mes tyre edhe 3 vajza

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi me sukses kursin e 7-të për video-analistë, në përfundim të të cilit u diplomuan 24 pjesëmarrës të rinj, mes tyre edhe 3 vajza. Me këtë kurs, numri i video-analistëve të licencuar nga FSHF ka kaluar tashmë shifrën 100, duke përfshirë profesionistë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe shqiptarë nga Kosova, Italia, Zvicra dhe vende të tjera.
Kursi u zhvillua në një format intensiv, i ndarë në tre blloqe nga tre ditë secili, me rreth katër orë mësim çdo ditë. Gjatë programit, pjesëmarrësit përfituan njohuri të thelluara mbi bazat e analizës së lojës, aspektet taktike të futbollit modern, analizën individuale të lojtarëve, si dhe përdorimin e të dhënave dhe statistikave për të përmirësuar performancën e ekipeve.

Përveç pjesës teorike, kursantët punuan edhe në projekte praktike, duke analizuar një ekip të caktuar dhe duke aplikuar në praktikë konceptet dhe metodat e mësuara gjatë leksioneve.
Ceremonia e shpërndarjes së certifikatave u zhvillua në prani të përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa diplomat për pjesëmarrësit u dorëzuan nga trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi.
Ky kurs synon të rrisë më tej nivelin e profesionalizmit në fushën e analizës në futbollin shqiptar dhe të pajisë trajnerët, analistët dhe klubet me mjete moderne për të zhvilluar më tej performancën sportive.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




