Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, Rovena Zoto dorëzon kandidaturën

Aktualitet | 3 muaj më parë

Prokurorja Rovena Zoto (Bozo) ka dorëzuar kandidaturën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke u bërë kandidatja e dytë zyrtare në këtë garë.

Me mbi 15 vite përvojë në sistemin e drejtësisë, ajo e ka nisur karrierën në Prokurorinë e Lushnjës, ku është angazhuar në hetimin e krimit ekonomiko-financiar, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Që prej vitit 2021 ushtron detyrën në Prokurorinë e Tiranës, ku heton çështje të narkotikëve, trafiqeve dhe krimeve të rënda ndaj jetës. Nga marsi i këtij viti drejton edhe seksionin e Drejtësisë Penale për të Miturit.

Së fundi, Zoto drejtoi hetimin që, në bashkëpunim me autoritetet austriake, çoi në goditjen e një rrjeti call center-ash mashtrues, i dyshuar se u ka zhvatur qytetarëve evropianë deri në 50 milionë euro.

Ajo përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe u konfirmua në detyrë nga procesi i vetingut në vitin 2023.

Një ditë më parë, kandidaturën për Prokuror të Përgjithshëm e paraqiti edhe prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi. Mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsjan Çela, përfundon në dhjetor 2026, pa të drejtë riemërimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme