Gazetari Muçaj: SPAK është shembull suksesi, bilanci i reformës në drejtësi duhet të nisë nga institucionet më pak efektive

Aktualitet | 10 muaj më parë

Gazetari Flogert Muçaj ishte i ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, ku tema e ditës ishte “Reforma e Reformës në Drejtësi”.

Diskutimi u fokusua tek bilanci i dhjetë viteve të Reformës në Drejtësi, sfidat e saj dhe nevoja për një reflektim të ri mbi standardet e drejtësisë në Shqipëri.

Të ftuarit në studio u ndalën në konferencën e sotme të zhvilluar “Cilësia e drejtësisë në Shqipëri”, ku theksohej siguria juridike, qartësia dhe zbatimi koherent i ligjit në Shqipëri janë elementë kyç për një sistem drejtësie funksional.

Gazetari Muçaj u shpreh se, “Kryeministri Edi Rama, më pak se një javë më parë, gjatë samitit në Francë për çështjen e Ukrainës, zhvilloi takimin e parë me ministrin e Drejtësisë të Francës, ku diskutoi mbi standardet e drejtësisë në Shqipëri, Kodin Penal dhe çështje të tjera të lidhura me sistemin ligjor.”

Sipas tij, ajo që po bëjnë kryeministri dhe Bashkimi Evropian është një proces drejt linjës së plotë të standardizimit, ku do të flitet për rezultatet e arritura gjatë këtyre viteve.

“Do shkohet, sikurse u shpreh Rama, tek një reflektim i Kodit të Procedurës Penale, i masave të sigurisë dhe i procedurave të hetimit. Mund të përmendim një rast që është kthyer nga Strasburgu si i gabuar nga ana e Prokurisë së Posaçme,” tha Muçaj.

Muçaj theksoi se bilanci i reformës nuk duhet të nisë nga institucioni më i suksesshëm, siç është SPAK, por nga ato struktura që kanë treguar më pak rezultate, ku dosjet janë lënë pezull.

“Vetëm më pas, sipas tij, mund të kalohen në analizën e standardeve të arritura. Pas një dekade nga nisja e reformës në drejtësi, bashkëfinancuesit e saj kanë hapur debatin për bilancin dhe për nevojën e një reflektimi të thelluar mbi ecurinë e saj.”

Ai tha se debati mbi reformën në drejtësi pritet të intensifikohet, teksa institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë një analizë të thelluar të rezultateve, sfidave dhe hapave të ardhshëm për të garantuar një sistem drejtësie më efikas dhe të besueshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme