Gazheli: Administrata doganore, një hallkë kyçe në rrugëtimin drejt BE-së

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi sot një vizitë pune në Doganën e Qafë Thanës, një nga pikat më të rëndësishme kufitare të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut.
Gjatë inspektimit, Gazheli u njoh nga afër me punën e përditshme të stafit doganor, sfidat me të cilat ata përballen dhe rezultatet e arritura deri më tani.
Ai vlerësoi përkushtimin e punonjësve dhe theksoi rëndësinë e rritjes së mëtejshme të performancës së administratës doganore.
“Standardet e larta në shërbimet doganore janë një detyrim ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Ne duhet të vijojmë me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim, sepse vetëm kështu ecim përpara drejt vizionit tonë afatgjatë ‘Dogana 2030’,” u shpreh Gazheli.
Duke ndalur te objektivat strategjikë, ai shtoi se administrata doganore është një hallkë kyçe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian
“Dogana shqiptare është pjesë e rrugëtimit të madh drejt ‘Shqipërisë Europiane’. Çdo përmirësim në punën tonë përkthehet në shërbim më cilësor për qytetarët dhe integrim më të shpejtë në familjen europiane.”
Vizita në Qafë Thanë u cilësua si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin me stafin në terren dhe për të siguruar që objektivat e reformës doganore të zbatohen me efikasitet dhe transparencë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




