Gjendja e sigurisë në Kosovë, kreu i KFOR-it takon shefin e ushtrisë serbe

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, tha ushtria serbe.
Në një komunikatë për mediat, Forcat e Armatosura të Serbisë thanë se ky ishte një takim i rregullt i nivelit të lartë, ku u bisedua edhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it “në detyrën tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt” në Kosovë.
“Një bisedë u zhvillua gjithashtu për veprimet e ndërmarra nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe nga forcat ndërkombëtare në provincë, për vëzhgimin e gjendjes në terren, parandalimin e krijimit të ndonjë krize dhe për të ofruar përgjigje efikase, në rast se siguria kërcënohet”, thuhet në komunikatë referuar veriut të Kosovës.
Ata, sipas njoftimit për shtyp, u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet “bashkëpunimi i mirë”, duke e parë se gjendja e sigurisë në Kosovë “është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme”.
Takimi i tyre vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë disa veprime në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




