Gjermania voton pro rikthimit të programin të shërbimit ushtarak vullnetar për 18-vjeçarët

Botë | 11 muaj më parë

Rikthehet pas 14 vitesh shërbimi ushtarak në Gjermani, por këtë herë, parlamenti i Bundestagut ka votuar për shërbimin e vullnetshëm dhe jo atë të detyrueshëm.

323 vota pro dhe 272 kundër ka marrë shërbimi ushtarak vullnetar, duke e bërë Gjermaninë vendin e fundit evropian që nisi një formë të rishikuar të shërbimit ushtarak.

Ky vendim, shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Gjermanisë ndaj ushtrisë së saj dhe vjen fill pas përpjekjeve të Kancelarit Friedrich Merz për të krijuar ushtrinë më të fortë konvencionale të Evropës.

Ndryshimi do të thotë që të gjithë 18-vjeçarëve në Gjermani do t’u dërgohet një pyetësor që nga janari i vitit 2026, ku do të pyeten nëse janë të interesuar dhe të gatshëm të bashkohen me forcat e armatosura. Formulari do të jetë i detyrueshëm për burrat dhe vullnetar për gratë.

Ky vendim ka nxitur reagime të shumta, ndërsa nxënësit në shkolla kanë paralajmëruar se do u bashkohen grevave kundër shërbimit vullnetar ushtarak.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, aktualisht ka rreth 182,000 trupa dhe Pistorius dëshiron të rrisë numrin e ushtarëve në shërbim me 20,000 gjatë vitit të ardhshëm.

Qëllimi afatgjatë është që numri deri në fillim të viteve 2030 të rritet në 260,000, duke shtuar afërsisht 200,000 rezervistë, për të përmbushur objektivat e reja të forcave të NATO-s dhe për të forcuar mbrojtjen e Gjermanisë.

Ndërsa plani është për shërbim vullnetar, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ose nëse paraqiten shumë pak vullnetarë, Bundestagu mund të shqyrtojë një formë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Ashtu si vendet e tjera evropiane, Gjermania i reduktoi forcat e saj të armatosura gjatë viteve të paqes të viteve 1990. Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo kishte një ushtri prej gati gjysmë milioni ushtarësh.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u hoq në vitin 2011 nën drejtimin e ish-kancelarit Angela Merkel.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme