Gjirokastër – Investime në zonën muzeale, restaurimet ruajnë identitetin dhe funksionalitetin e rrugëve

Aktualitet | 1 vit më parë

Në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës vijojnë investimet në infrastrukturë.

Këtë herë kantieri i punimeve është hapur në rrugën “Doktor Kalivopulli”, ku po realizohen ndërhyrje për ta rikthyer këtë segment në identitetin e tij historik, por edhe për ta bërë më funksional e të aksesueshëm, si për banorët, ashtu edhe për vizitorët që qyteti pret çdo ditë.

Ky segment rrugor me gjatësi rreth 800 metra është pjesë e projektit “Plani i mobilitetit dhe Hartimi i hollësishëm i projektit të investimeve për azhornimin e integruar urban të Gjirokastrës”, me vlerë rreth 3 milionë euro.

Përgjegjësi i punimeve, Agron Banushi, shprehet se ndërhyrjet synojnë jo vetëm restaurimin e rrugës, por edhe rritjen e funksionalitetit dhe aksesueshmërisë së saj.

“Po bëjmë skarifikimin e rrugës, që ta sjellim kalldrëmin në gjendjen fillestare. Po merremi me disiplinimin e ujërave të shiut, duke punuar nëpër puseta, dhe vazhdojmë njëkohësisht me kalldrëmet. Kjo rrugë është rreth 820 metra katrorë. Mbas 10–15 ditësh mund ta përfundojmë,” thotë z. Banushi.

Gjithashtu bëhet me dije se kanë përfunduar punimet restauruese në lagjen “Palorto”.

Ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Gjirokastër po kryhen jo vetëm në zonën muzeale, por janë shtrirë edhe në lagjen “18 Shtatori”.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme