Gjyqi në Hagë/ Smith: Akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk qëndrojnë

Kosovë | 54 minuta më parë

Bien akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Në nisje të leximit të aktgjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith, bëri me dije se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk arriti të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm se ky sulm ishte i drejtuar kundër një popullsie civile.

Në vijim të leximit, trupi gjykues deklaroi se nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm kryerja e veprave penale kundër njerëzimit të përfshira në aktakuzë.

Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur gjerësisht kundër një popullate civile.

“Trupi gjykues konstatoi se këto akte përbënin një sulm të përhapur gjerësisht dhe sistematik. Megjithatë, trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm se ky sulm u drejtua kundër një popullate civile.

Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të provonte se ishin kryer krime kundër njerëzimit, si përndjekja, burgosja, tortura, vrasja e qëllimshme dhe zhdukja me forcë”, u tha gjatë leximit të aktgjykimit.

Smith deklaroi se procesi lidhet vetëm me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Ai theksoi se gjykimi nuk ka të bëjë me luftën çlirimtare të Kosovës në tërësi dhe as me shtetin e pavarur të Kosovës.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me Kosovën e pavarur. Kjo çështje nuk ka të bëjë me veprimet e forcave ushtarake serbe. Ka të bëjë vetëm me pretendimet për veprimet e kryera nga të akuzuarit. Përgjegjësia është vetëm personale”, deklaroi Smith.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme