“Gjyqi për Teme Sejkon inskenim”, aktivisti: Qeveria greke kërkoi ekzekutimin e intelektualëve çamë

Genc Hektor Sejko, djali i vëllait të Teme Sejkos, njëkohësisht aktivist në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon foli lidhur me vrasjen e komandantit të lartë të ushtrisë shqiptare, Teme Sejko.
Genc Sejko tha se hipotezat për vrasjen e tij janë të shumta dhe një ndër to është që qeveria greke i kërkoi Enver Hoxhës të ekzekutonte shumicën e intelektualëve çamë.
Sipas aktivistit ka dhe hipoteza të tjera pasi nuk mund t’i jepet një shpjegim logjik ngjarjes. Ai tha se ajo që dihet me siguri është që, gjyqi për Teme Sejkon ishte një inskenim i tërë, që nuk kishte asnjë të vërtetë.
“Kam dëgjuar shumë hipoteza mbi fatin e familjes time. Ka pasur hipoteza që qeveria greke I kërkoi Enver Hoxhës të ekzekutonte shumicën e intelektualëve çamë. Hipoteza tjetër është fakti që këto u ekzekutuan se duhej një armik që të justifikonte prishjen me Bashkimin Sovjetik. Ka pasur hipoteza të tjera, janë me qindra. Ngjarja dhe ajo që ka ndodh me familjen Sejko duke mos pasur mundësi t’i japin shpjegim logjik, gjithmonë ngrihen hipoteza. Mendoj te ideja se Enver Hoxhës po i vinte fundi me BS dhe ishte informuar se kishte një grup armiqësor që kishte lidhje me BS. Nuk ka asnjë dokument që tregon përfshirjen e CIAS. Me prishjen me BS mund t’i vinte dhe humbja e pushtetit. Teme Sejko kishte kontakte me BS, ishte ushtar i zoti, por jemi në kuadër hipotezash. Ajo që dimë me siguri, që gjyqi për Teme Sejkon ishte një inskenim i tërë që nuk kishte asnjë të vërtetë”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




