GOA, INDI- Festa kthehet në ferr, shpërthimi në klubin e natës lë 25 të vdekur, mes tyre turistë dhe staf

Botë | 11 muaj më parë

Një natë feste në bregdetin e famshëm të Goas është kthyer në një skenë tmerri, ku një zjarr masiv në klubin e natës “Birch” u ka marrë jetën 25 personave. Autoritetet lokale konfirmojnë se shkak i tragjedisë dyshohet të ketë qenë shpërthimi i një bombole gazi në kuzhinën e lokalit, i cili u përhap me shpejtësi ndërsa vendi ishte i mbushur me pushues.

Bilanci i viktimave është rënduar nga fakti se shumica e të pranishmëve nuk arritën të dilnin në kohë. Policia e Goas raporton se mes 25 të vdekurve, 21 ishin anëtarë të stafit – punëtorë migrantë nga zona të ndryshme të Indisë dhe një nga Nepali.

Katër viktimat e tjera ishin anëtarë të së njëjtës familje turistësh nga Delhi. Sipas Kryeministrit të Goas, Pramod Sawant, shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e mbytjes nga tymi, ndërsa tre persona vdiqën nga djegiet e rënda.

Dëshmitarët okularë përshkruan skena paniku ndërsa tymi pushtoi sallën ku po performonte një DJ i njohur i Bollywood-it. Një faktor kritik që vështirësoi ndërhyrjen e shpejtë ishte topografia e klubit. Edhe pse hyrja kryesore përshkruhet si e gjerë, aksesi në strukturën kryesore bëhej përmes një kalimi të ngushtë mbi një liqen të vogël, çka bëri të pamundur afrimin e mjeteve zjarrfikëse në zemër të vatrës së zjarrit. BBC raporton se në vendngjarje kanë mbetur vetëm skelete të shkrira karrigesh dhe tavolinash.

Reagimi i autoriteteve ka qenë i menjëhershëm. Policia ka arrestuar menaxherin e klubit “Birch” dhe ka lëshuar një urdhër-arresti për pronarin, i cili aktualisht është në arrati.

“Ata që gjenden përgjegjës do të përballen me veprimet më të rrepta sipas ligjit – çdo neglizhencë do të trajtohet me vendosmëri,” deklaroi Kryeministri Sawant. Edhe Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, reagoi duke e quajtur ngjarjen “thellësisht trishtuese”.

Kjo ngjarje rikthen në vëmendje problemin kronik të sigurisë në ndërtesat publike në Indi. Opozita ka akuzuar qeverinë për lejimin e hapjes së klubeve të reja pa standarde sigurie, në një rajon që pret rreth 5.5 milionë turistë në vit.

Vetëm vitin e kaluar, India ka regjistruar disa zjarre vdekjeprurëse në hotele dhe parqe argëtimi, shpeshherë për shkak të neglizhencës dhe mungesës së rrugëve të emergjencës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme