Goditje ndaj Kartelit Jalisco, kapet Audias Flores Silva, pasardhësi i ‘El Mencho’-s

Meksika ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në luftën kundër narkotrafikut. Audias Flores Silva, i njohur me nofkën “El Jardinero” (kopshtari), njeriu që konsiderohej si pasardhësi legjitim i liderit të vrarë Nemesio Oseguera Cervantes (‘El Mencho’), është arrestuar gjatë një operacioni masiv në shtetin e Nayarit.
Ky arrestim vjen vetëm dy muaj pas vrasjes së ‘El Mencho’-s dhe përfaqëson goditjen më të rëndë ndaj strukturës së Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG), organizatës që kontrollon rrugët kryesore të trafikut të drogës drejt SHBA-së.
Operacioni “pa asnjë të shtënë”
Ndryshe nga operacioni i përgjakshëm i shkurtit ku humbën jetën 25 ushtarë, kapja e “El Jardinero” u përshkrua nga Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, si një ndërhyrje “kirurgjikale”. Operacioni u krye pa shkëmbim zjarri dhe pa asnjë viktimë, pavarësisht forcës masive ushtarake të angazhuar me mbi 520 trupa, 120 ushtarë të angazhuar direkt dhe 400 personel të Marinës si mbështetje dhe katër helikopterë luftarakë, dy helikopterë transporti dhe katër avionë inteligjence.
Hija e tradhtisë dhe lufta për pushtet
Eksperti i sigurisë kombëtare, David Saucedo, sugjeron se kapja e Silva Flores mund të mos jetë thjesht rezultat i inteligjencës shtetërore, por i një tradhtie brenda rradhëve të kartelit. Pas vdekjes së ‘El Mencho’-s, brenda CJNG-së ka shpërthyer një luftë e egër mes fraksioneve për trashëgiminë e fronit.
“Nuk do ta përjashtoja mundësinë që, për të hequr qafe Flores Silvën, rivalët brenda kartelit ta kenë tradhtuar duke dhënë koordinatat e tij me qëllim që ai të arrestohej,” deklaroi Saucedo për El Sol de Mexico.
Goditja financiare, arrestohet edhe “kontabilisti”
Krahas “El Jardinero”, në qytetin Zapopan u arrestua edhe César Alejandro N., i njohur si “El Güero Conta” (konti bardhosh). Ai akuzohet si truri financiar i organizatës, përgjegjës për pastrimin e parave përmes kompanive fasadë, investimeve në industrinë e tekilës dhe blerjes së rançeve e avionëve privatë.
Ekstradim apo gjykim në Meksikë?
Pas arrestimit, Audias Flores Silva u transportua me një eskortë të rreptë ushtarake drejt Mexico City-t, ku ndodhet nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale për Krimin e Organizuar (FEMDO).
Tashmë, drejtësia meksikane ndodhet përpara një vendimi të rëndësishëm: ta ekstradojë “El Jardinero” drejt Shteteve të Bashkuara — ku mbi të rëndon një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për trafik droge dhe armëmbajtje — apo ta gjykojë atë në vend për vrasje dhe krime të kryera në territorin meksikan.
Ndërkohë, në shtetin e Nayarit po mbahet një forcë e lartë sigurie për të parandaluar çdo hakmarrje të mundshme nga ana e kartelit, ndërsa bota pret me ankth nëse ky arrestim do të sjellë fundin e CJNG apo një tjetër valë dhune për pushtet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




