Gonxhja jep lajmin: Kroçera gjigante AROYA do të ndalojë në Sarandë në 2027

Aktualitet | 2 muaj më parë

Në prag të nisjes së Lojërave Mesdhetare 2026, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një takim në Taranto me shqiptarin Altin Alija, profesionist me mbi 25 vite eksperiencë në industrinë ndërkombëtare të kroçerave dhe drejtues i operacioneve hoteliere në AROYA Cruises dhe Cruise Saudi. Në fokus të takimit ishte organizimi i Lojërave Mesdhetare, ku Shqipëria merr pjesë me një nga delegacionet më të mëdha sportive në historinë e saj, por edhe potenciali që industria e kroçerave paraqet për turizmin shqiptar. Gonxhja bëri të ditur se sportistët pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare po akomodohen në kroçerën gjigante AROYA, e cila për këtë aktivitet është shndërruar në një strukturë të veçantë akomodimi për ekipet dhe sportistët.

“Në këtë atmosferë pata kënaqësinë të takoja të palodhurin Altin Alija, profesionistin shqiptar nga Librazhdi, me mbi 25 vite eksperiencë në industrinë ndërkombëtare të kroçerave dhe drejtues i operacioneve hoteliere në AROYA Cruises dhe Cruise Saudi”, shkroi Gonxhja.

Sipas ministrit, gjatë takimit u diskutua për mënyrën e organizimit të akomodimit në kroçerë, zhvillimet në industrinë e turizmit dhe mundësitë që sektori i kroçerave ofron për Shqipërinë.

“Biseduam për këtë mënyrë të veçantë organizimi, për turizmin, mundësitë që kjo industri ofron”, u shpreh Gonxhja.

Një nga lajmet e bëra publike gjatë takimit lidhet me Sarandën. Sipas ministrit, kroçera AROYA pritet të mbërrijë në qytetin bregdetar më 20 korrik 2027, këtë herë me një ndalesë të planifikuar në itinerarin e saj.

“Kjo kroçerë gjigante pritet të mbërrijë në Sarandë më 20 korrik të vitit të ardhshëm, me ndalesë në itinerar e jo kalimthi”, deklaroi Gonxhja.

Mbërritja e AROYA-s në Sarandë do të përbënte një tjetër zhvillim për turizmin e kroçerave në Shqipëri, duke sjellë në vend një numër të konsiderueshëm turistësh dhe duke zgjeruar itineraret ndërkombëtare drejt bregdetit shqiptar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme