Hantavirusi në anijen turistike holandeze, evakuohen tre të prekur nga virusi i rrallë

Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi praninë e llojit të rrallë të virusit të Andeve, e vetmja formë e njohur e hantavirusit që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu, në një anije turistike holandeze ku deri tani kanë humbur jetën 3 pasagjerë.
Autoritetet shëndetësore raportuan gjithashtu se nga anija u evakuuan tre të prekur nga ai virus. “Dy anëtarë të ekuipazhit dhe një tjetër që mendohet se janë të infektuar me virusin u larguan nga anija turistike”- tha OBSH.
Të mërkurën, ministria zvicerane e shëndetësisë konfirmoi gjithashtu se një pasagjer i anijes turistike me hantavirus, u shtrua në spital në Zyrih. Ndërkohë kompania holandeze, së cilës i përket anija bëri me dije se dy mjekë të specializuar për sëmundjet infektive po udhëtojnë nga Holanda dhe do të qëndrojnë në anije deri në zhvendosjen e saj nga bregdeti i Kepit të Gjelbër.
Ndonëse shqetësimet për përhapjen e virusit janë rritur, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se mbetet i ulët rreziku për shëndetin publik nga shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike, duke bërë thirrje që të mos krijohet panik apo të kufizohen udhëtimet ndërkombëtare.
Shqetësimet rreth kësaj situate shëndetësore janë shtuar që nga e shtuna, kur OBSH u informua se tre pasagjerë kishin humbur jetën dhe shkaku i dyshuar ishte virusi që zakonisht përhapet nga brejtësit e infektuar përmes jashtëqitjeve dhe pështymës. Anija turistike me 149 persona në bord është e ankoruar pranë Kepit të Gjelbër, në Afrikë, dhe i është mohuar leja për të zbarkuar pasagjerët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




