Helmimi në Kopshtin nr. 1 në Gramsh, prindërit protestojnë para bashkisë. Kryebashkiaku Ajazi: Po hetohet!

Sociale | 1 vit më parë

Në strukturat spitalore nuk ka asnjë fëmijë të shtruar që i përket Kopshtit nr. 1 në Gramsh, ku u zbuluan raste të infektimit me bakterin e salmonelës “enteritidis”.

Në një dalje për mediet, kryebashkiaku i qytetit, Besion Ajazi, tha se iu duhet lënë fjala autoriteteve ligjzbatuese, AKU-së dhe ISHP-së, për të zbuluar të vërtetën.

“Nga momenti që bëhet furnizimi me produkte ushqimore, ne si institucion kërkojmë fletën e analizave për çdo ushqim. Nuk ka asnjë rast që të jetë pranuar ndonjë produkt ushqimor pa u shoqëruar me fletën e analizës. T’ua lëmë institucioneve gjejnë,” theksoi z. Ajazi.

Një përgjigje konkrete se çfarë ka ndodhur në kopsht me pasojë në shëndetin e të vegjëlve kanë kërkuar edhe prindërit në protestën e organizuar këtë të hënë para bashkisë.

“Para një jave fëmija doli nga kopshti me temperaturë, me të vjella, me bark. Nuk kisha informacion çfarë ishte.“

“Me sa kemi dëgjuar, kjo është një sëmundje ngjitëse, prandaj duhet të ishte dikush, të paktën nga Infektivi apo spitali, që të na orientonte dhe të na thoshte masat që duhen marrë. Ne kemi edhe njerëz të tjerë në shtëpi.“

Lidhur me rastin, Policia ka sekuestruar kartelat klinike të pacientëve të shtruar në spital, procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr. 1, si dhe mostrat nga ushqimi.

Deri më tani numri i fëmijëve të prekur me salmonelën “enteritidis” ka shkuar në 17, teksa analizat përfundimtare nuk kanë përfunduar. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme