Hodhën molotovë në protestën e PD-së para Kryeministrisë-Prokuroria e Tiranës kërkon detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit

Aktualitet | 10 muaj më parë

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit pas protestës së Partisë Demokratike dy ditë më parë përpara Kryeministrisë.

Ata u arrestuan pasi akuzohen se kanë hedhur lëndë djegëse dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Përveç katër të arrestuarve u proceduan penalisht edhe 7 persona, mes tyre përfaqësuesi organizativ i Partisë Demokratike që zhvilloi tubimin, Ervin Minarolli.

“Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 11 shtetas. Arrestohen 4 prej tyre, procedohen penalisht 7 të tjerët. Procedohet penalisht dhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10″, theksoi në njoftimin e saj policia.

Ndërkohë gjatë tubimit u dëmtuan 3 punonjës policie.   

“Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë). 

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim: -u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, pas referimit të materialeve në Prokurori, organi i akuzës ka kërkuar detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme