Hungaria heq Veton ndaj fondit të armëve për Ukrainën, Blloku diskuton përdorimin e 6.6 miliardë eurosh për në mbështetje të Kievit
Hungaria njoftoi Bashkimin Evropian se po heq veton ndaj fondit të Mekanizmit Evropian të Paqes për Ukrainën, ndërsa marrëdhëniet mes palëve përmirësohen pasi kryeministri i ri Peter Magyar mori drejtimin e vendit pas rënies nga pushteti të liderit nacionalist Viktor Orban.
“Tani kemi një ministër të ri hungarez, që do të thotë gjithashtu se po ecim përpara me zhbllokimin e 6.6 miliardë eurove”- tha kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes së bllokut. Paratë në fondin e Mekanizmit Evropian të Paqes fillimisht ishin menduar për të rimbursuar pjesërisht vendet e BE-së për armët me të cilat kanë furnizuar tashmë Ukrainën, por Kallas bëri me dije se donte që një pjesë e tyre të mund të përdoren për të blerë armë të reja për Kievin, me qëllim forcimin e luftës së atij vendi kundër pushtimit rus.
Heqja e vetos ndaj fondit është ndër lëvizjet e fundit që Hungaria ka bërë në mbështetje të Ukrainës për të përmirësuar marrëdhëniet me Brukselin. Ndërkohë, BE-ja ka siguruar Budapestin se do të zhbllokojë më shumë se 16 miliardë euro, të cilat ishin ngrirë gjatë qeverisjes së Viktor Orban.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




