I dërguari i Trump në Rusi, Witkoff përballet me kritika pas vizitës në Moskë

Përfaqësuesi special i Donald Trump, Steve Witkoff, është përballur me kritika si nga Shtëpia e Bardhë ashtu edhe nga republikanët për veprimet dhe deklaratat e tij në lidhje me zgjidhjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Witkoff mori mbështetje nga disa republikanë të cilët hezitojnë për ndihmën e mëtejshme të SHBA-së për Ukrainën, por propozimet e tij zemëruan një fraksion tjetër të partisë, i cili është i shqetësuar për rritjen e lidhjeve me Rusinë.
Witkoff mësohet se ka ftuar Kirill Dmitriev, kreun e Fondit të Investimeve Direkte të Rusisë, në SHBA.
Pavarësisht shqetësimeve të sigurisë kombëtare, Witkoff fillimisht planifikoi ta priste takimin në rezidencën e tij përpara se të transferohej në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Reuters.
Kjo ngriti alarmin brenda Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, pasi zyrtarët amerikanë zakonisht shmangin takimin me përfaqësuesit rusë – një vend me aftësi të avancuara të inteligjencës – në mjedise private.
Më pak se dy ditë pas darkës me Dmitriev, Witkoff u takua me Presidentin Trump dhe propozoi një përfundim të shpejtë të luftës në Ukrainë, duke sugjeruar që SHBA të mbështesë pretendimin e Rusisë mbi katër rajone ukrainase që Kremlini po përpiqet t’i aneksojë.
Propozimet e tij, së bashku me komentet e tij publike, shkaktuan zemërim midis punonjësve të Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve.
Pas intervistës kontroverse të Witkoff me prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, donatori kryesor republikan Eric Levin bëri thirrje për dorëheqjen e tij.
Disa republikanë në Capitol Hill, të alarmuar nga qëndrimi pro-rus i Witkoff gjatë intervistës, kontaktuan Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Waltz dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për të shprehur shqetësimet e tyre, raporton Reuters.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



