I mori 8 mijë euro klientit për të ndikuar tek drejtësia, GJKKO shpall fajtor avokatin Besart Logu për ndikim të paligjshëm

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli fajtor avokatin Besart Logu, i akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Me vendimin nr. 2, datë 14 janar 2026, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani vendosi ta dënojë fillimisht me 2 vite burgim, të cilat u reduktuan në 1 vit e 4 muaj në bazë të gjykimit të shkurtuar.
Gjykata urdhëroi gjithashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tij në provë për një periudhë prej 2 vjet e 8 muaj, si dhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatit për 9 muaj.
Në fashikullin e gjykimit u përfshinë prova materiale, përfshirë regjistrime audio dhe video të takimeve të tij me një agjent të koduar. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga marrja dijeni për vendimin e arsyetuar.
NJOFTIM PËR MEDIAT 1.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:
“Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 242, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurit Besart Logu, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal”. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, me vendimin nr. 2, datë 14.01.2026 vendosi: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besart Logu për veprën penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, prashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim. 2. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 1 vit e 4 muaj burgim. 3. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Besart Logu duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 2 vjet e 8 muaj me kusht që të mos kryej vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës. 4.
Në aplikim të nenit 39 të K.Penal, heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatit për një periudhë prej 9 muajsh për të pandehurin Besart Logu. 5. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe ato gjatë gjykimit i ngarkohen të pandehurit. 6. Provat materiale si, provat e mëposhtme: -1 DVD+ËR përgjimi ambiental audio dhe video midis të pandehurit Besart Logu dhe agjentit të koduar me numër kodik **** të datës 09.12.2024; -1 CD audio dhe video midis të pandehurit Besart Logu dhe agjentit të koduar me numër kodik **** të datës 13.12.2024, bëhet pjesë e fashikullit të gjykimit. 7.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsioni dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, afat i cili fillon të llogaritet nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar. Tiranë, më datë 16.01.2026 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




