I shkaktoi shtetit dëm prej 33 mln lekë, SPAK mbyll hetimet, akuzon për shpërdorim detyre ish-kryebashkiakun Elvis Roshi

Aktualitet | 10 muaj më parë

SPAK ka mbyllur hetimet dhe i ka komunikuar zyrtarisht akuzën ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i cili dyshohet për shpërdorim detyre, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar prej rreth 33 milionë lekësh.

Elvis Roshi u paraqit ditën e sotme, më 20 janar, në ambientet e SPAK, së bashku me avokatin e tij, ku iu bë edhe komunikimi zyrtar i akuzës.

Sipas SPAK, akuzat lidhen me periudhën 2013–2014, kohë gjatë së cilës Roshi ushtronte funksionin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Hetimi u nis në bazë të referimit të bërë në mars të vitit 2024, pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ngriti dyshime për dëme financiare në buxhetin e shtetit në vlerën e rreth 33 milionë lekëve lidhur me abuzimin me tenderat.

Ish-kryebashkiaku u dorëhoq nga detyra nga ligji i dekriminalizimit, pasi u konstatua se kishte qenë i dënuar në Itali, fakt që nuk ishte deklaruar pranë institucioneve përkatëse. Ai e ushtroi detyrën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Ndërkohë, Elvis Roshi po hetohet gjithashtu edhe për vepra penale që lidhen me krime zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Ai dyshohet për përfshirje në blerje votash në mbështetje të kushëririt të tij, Elton Rroshi, kandidat i koalicionit PD-ADSHM.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente private, përfshirë edhe pronat e Elvis Rroshit, ku janë sekuestruar telefona celularë, fatura, kuponë karburanti si dhe lista me të dhëna të zgjedhësve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme