Ibrahimaj: Korridori VIII rrit konkurrencën, investimet dhe stabilitetin

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot në ministerialin e Korridorit VIII që u mbajt në Tiranë se ky projekt është shumë më tepër sesa një aks transporti, duke e cilësuar si një instrument kyç për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Gjatë fjalës së saj në Forumin Ekonomik të organizuar në kuadër të ministerialit, me temë “Korridori VIII në momentin strategjik të Europës: lidhshmëria, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”, Ibrahimaj theksoi se ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, garanci për sigurinë dhe themel për prosperitet të përbashkët.
“Ky projekt është një mundësi strategjike për riafirmuar rolin tonë si nyjë lindje–perëndim, por edhe si port i Adriatikut. Pozicioni gjeografik na vendos në një pikë kyçe të lidhjes mes Adriatikut, Ballkanit dhe Detit të Zi. Përmes zhvillimit të porteve dhe infrastrukturës rrugore, Shqipëria mund të shndërrohet pa frikë në një pikë kyçe tranziti për rajonin dhe më gjerë”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj nënvizoi se zhvillimi i logjistikës dhe infrastrukturës transportuese portuale e hekurudhore mund të pozicionojë vendin si pikë hyrëse për tregjet e Europës Juglindore drejt Europës Perëndimore, duke ulur kostot logjistike për bizneset dhe duke përmirësuar aksesin në tregjet evropiane.
Ajo theksoi se ripozicionimi i Korridorit VIII në arkitekturën TEN-T është një çështje thelbësore që kërkon kalimin nga angazhimet politike në prioritete të zbatueshme evropiane, me projekte të planifikuara mirë, të financuara qëndrueshëm dhe të implementuara me efikasitet.
Ministrja veçoi projektin si thelbësor për lehtësimin e tregtisë, i cili po hyn në fazën e dytë, të financuar nga Banka Botërore me mbështetje nga Bashkimi Europian. “Lehtësimi i tregtisë do të forcojë integrimin në zinxhirët rajonalë të vlerës dhe do të krijojë hapësira të reja për zhvillim industrial përgjatë korridorit. Investimet në infrastrukturë do të gjenerojnë vende pune, do të nxisin sektorin e ndërtimit, turizmit dhe shërbimeve, si dhe do të rrisin atraktivitetin e vendit dhe rajonit për investime të huaja dhe vendas”, tha ajo.
Ibrahimaj theksoi gjithashtu dimensionin gjeopolitik dhe të sigurisë të Korridorit VIII, duke e cilësuar atë si një aks horizontal që forcon ndërlidhjen në hapësirën rajonale dhe kontribuon në mbrojtjen e infrastrukturës kritike. “Në një mjedis global të pasigurt, investimi në infrastrukturë është edhe investim në stabilitet”, u shpreh ministrja.
Në përfundim, Ibrahimaj bëri thirrje për kalimin nga strategjia në zbatim, nga vizioni në investime konkrete dhe nga deklaratat në rezultate të prekshme për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
“Forumi është një mundësi për të shkëmbyer ide, për të ndërtuar një korridor që lidh territore dhe krijon mundësi, rritje dhe stabilitet afatgjatë për rajonin”, përfundoi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




