Importet dhe eksportet në një “klikim”. Sistemi i ri doganor synon t’i japë fund radhëve dhe dokumenteve në letër

Ekonomi | 6 muaj më parë

Dogana shqiptare po punon për t’u shndërruar në një administratë doganore të standardeve të Bashkimit Evropian. Ky proces synon përafrimin e plotë të praktikave me ato më të mira të BE-së, duke garantuar që sistemi të sigurojë cilësinë dhe kontrollin e mallrave në të njëjtin nivel si për qytetarët e Unionit.

“Një biznes do të ketë mundësinë të ketë vetëm një sportel unik që dol të aksesohet përmes aplikacionit e-Albania, duke shmangur çdo dokument në letër dhe të gjitha dokumentet do gjenerohen nga vetë sistemi duke reduktuar kështu kohën e pritjes si dhe barrën administrative për bizneset”, u shpreh zv.ministri i Ekonomisë, Enkeleid Musabelliu.

Investimet parashikojnë, krahas modernizimit fizik të pikave doganore, edhe përmirësimin e sistemeve digjitale, siç është platforma “Dritarja e Vetme Unike. Nga këto investime pritet të përfitojë jo vetëm transporti tokësor, por edhe ai detar.

“Do kemi zhvillim sistemesh, do kemi vendosje radarësh që lundrimi të shndërrohet në një pikë të sigurt për transportin detar dhe me më pak shpenzime”, tha ai.

Zbatimi i projektit është ndarë në dy faza: e para, me vlerë rreth 17 milionë euro, është drejt përfundimit, ndërsa po finalizohet marrëveshja për fazën e dytë, që parashikohet të kushtojë rreth 40 milionë euro. Implementimi i plotë i projektit pritet të përfundojë pas vitit 2030.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme