“In Memorium” – Personalitete të njohura në Shqipëri që u ndanë nga jeta në vitin 2025
Një vit i gjatë i mbushur plot me zhvillime, 2025 rrugëtoi me një bilanc ngjarjesh që shënuan data të rëndësishme në kalendar. Në kujtesën kolektive do të ruhen edhe emra që kanë bërë histori, figura të njohura nga fusha të ndryshme që u ndanë nga kjo jetë në vitin që lëmë pas.
Kryepeshkopi Anastas
Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë shpalli pesë ditë zie kishtare për nderim të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, u mbajt liturgjia hyjnore, në respekt të dëshirës së Hirësisë Anastas, që trupi i tij të prehet në Shqipëri.
Margarita Xhepa
Bota e artit shqiptar humbi një nga figurat më të ndritura të skenës dhe ekranit. Aktorja legjendare Margarita Xhepa u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, vetëm një ditë pas ditëlindjes se saj duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike që do të mbetet e paharrueshme për brezat.
Artan Lame
Publicistika humbi një nga veprimtarët dhe studiuesit e njohur të saj. Zemra e Artan Lames pushoi së rrahuri më 23 maj, pas një ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani, në moshën 58-vjeçare. Homazhet e mbajtura në ambientet e Akademisë së Shkencave bënë bashkë figura të njohura në vend, akademikë e politikanë.
Pirro Milkani
Po në maj të vitit 2025 u nda nga jeta në moshën 86- vjeçare një tjetër kolos i kinematografisë shqiptare, Pirro Milkani.
Leka Bungo
Një muaj më pas më 11 qershor regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur, Leka Bungo u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare. Ai ishte një nga emrat më të rëndësishëm të skenës në Shqipëri si regjisor, skenarist dhe aktor, duke i lënë vendit një trashëgimi të larmishme artistike në fushën e humorit dhe të skenës shqiptare. Për një periudhë 4-vjeçare, nga viti 2021 deri në shkurt të vitit 2025 Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Naun Shundi
Më 28 gusht u shua në moshën 66-vjeçare aktori i njohur, Naun Shundi. Ai nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej pak kohësh. Shundi ishte një figurë e shquar e aktrimit, regjisurës dhe dramaturgjisë.
Dhimitër Anagnosti
Qeveria shpalli ditë zie Kombëtare 2 shtatorin, pas ndarjes nga kjo jetë të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti. Personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare u nderua në homazhet publike dhe ceremonia shtetërore që u organizua në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në Tiranë. Në nderim të tij u ndërpre çdo veprimtari dhe u mbajt një minutë heshtje. Radiotelevizioni Publik Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funebre.
Artur Zheji
Muaji shtator shënoi humbjen e disa prej figurave të njohura në disa fusha. Familjarë, miq e personalitete të jetës publike në vend, i dhanë lamtumirën e fundit, publicistit Artur Zheji. Homazhet në Universitetin e Arteve, nderuan gazetarin e ndjerë i cili u shua në moshën 63-vjeçare në Sarandë.
Enver Petrovci
Enver Petrovci u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare, më 22 shtator, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në skenën teatrore, kinematografinë. Lajmi i hidhur u bë i ditur nga familjarët e tij, të cilët theksuan se humbja është e madhe jo vetëm për familjen, por për mbarë artin shqiptar
Luiza Çako
Soprano e njohur e muzikës klasike shqiptare Luiza Çako u nda nga jeta në moshën 88-vjecare.
Fatos Nano
Nëntori shënoi një tjetër humbje të thellë në arenën e politikës shqiptare. Qeveria shpalli ditë zie kombëtare 2 nëntorin në nderim të Fatos Nanos. Ish-Kryeministri dhe një prej figurave kryesore të tranzicionit politik u nderua me Homazhet Kombëtare që u zhvilluan zhvilluan në Pallatin e Kongreseve, ndërsa në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar u ul në gjysëm shtizë. Rrugëtimi i tij i përjetshëm për në banesën e fundit u shoqërua nga tingujt e këngës ikonike të Frank Sinatrës.
Shpat Kasapi
Më 26 nëntor iu dha lamtumira e fundit këngëtarit Shpat Kasapi gjatë një ceremonie të mbajtur në pallatin e Kulturës në Tetovë, në vendlindjen e tij. Këngëtari i njohur u nda nga jeta pas një ataku kardiak, ndërsa ndodhej në Itali. Në nderim të artistit në Tetovë u shpall ditë zie kombëtare.
Andis Harasani
Shqipëria humbi edhe figura të tjera nga fusha të ndryshme mes tyre Andis Harasani, 53 vjeç ish-deputet i Partisë Socialiste dhe ish-drejtues i KESH-it ndërroi jetë në Neë York pas një sëmundjeje të rëndë.
Violeta Sekuj
Aktorja e njohur e teatrit shqiptar, me role të paharrueshme në skenë Violeta Sekuj u nda nga jeta në moshën 94 vjeçare.
Papa Francesku
Në viti 2025 bota humbi Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, që ndërroi jetë nga një sëmundje. Qeveria shqiptare shpalli 26 prillin ditë zie kombëtare për Papa Françeskun, i cili e vizitoi Shqipërinë në shtator të vitit 2014. udhëheqësi i Kishës Katolike dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Gazetare: E.Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




