Inflacioni u rrit në 2.3% në tetor, qiratë dhe energjia grupet me ndikimin më të lartë

Ekonomi | 12 muaj më parë

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK), matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri, shënoi një rritje vjetore prej 2.3% në muajin Tetor 2025. Kjo shifër është më e lartë se inflacioni vjetor i regjistruar një vit më parë, i cili ishte 1.9%.

Ndërkohë, ndryshimi mujor i IÇK-së, krahasuar me Shtatorin 2025, ishte minimal, duke shënuar vetëm 0.1%.

Sipas raportit të INSTAT të publikuar të hënën, rritja vjetore e çmimeve në Tetor është ndikuar kryesisht nga dy grupe thelbësore të shpenzimeve familjare:

Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji

Ky grup ka ndikuar më së shumti në inflacionin e përgjithshëm, me një kontribut prej +0.87 pikë përqindje, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.3% në çmimet e tij.

Ushqime dhe pije joalkoolike, i dyti për nga ndikimi, ishte me një kontribut prej +0.55 pikë përqindje. Brenda këtij grupi, rritjet më të theksuara u vunë re te vajrat dhe yndyrnat (+4.9%) dhe qumështi, djathi dhe vezët (+4.2%).

Rritje edhe në shërbimet dhe mallrat

Raporti i INSTAT thekson se grupet e tjera që ndikuan në rritjen e inflacionit përfshijnë mobilje, pajisje shtëpie. Ato ndikuan me +0.21 pikë, duke shënuar një rritje çmimesh prej 2.9% vjetore.

“Pije alkoolike dhe duhan kontribuuan me +0.15 pikë (rritje vjetore 3.1%). Hotele, kafene dhe restorante kontribut me +0.13 pikë (rritje vjetore 2.4%). Nga ana tjetër, çmimet e grupit të Transportit dhe Shëndetit shënuan rritje më të vogël vjetore, me rreth 0.5% secili.”, theksohet në raport.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme