Inkriminimi i të miturve, më shumë bashkëpunim familje-shkollë-institucione dhe mbështetje konkrete

Aktualitet | 2 muaj më parë

Thika, kaçavida, maska dhe pajisje të tjera janë sendet që mbajnë të miturit, teksa tentojnë që të “sqarohen” me njëri-tjetrin.

Rasti më i fundit u regjistrua pak ditë më parë në Kombinat, ku 28 të mitur u proceduan penalisht në gjendje të lirë, pasi kishin caktuar një vend dhe do të “sqaroheshin” sipas mënyrës së tyre. Ata i përkisnin moshave 13-17 vjeç.

Profesoreshë Miranda Rira rendit disa nga shkaqet e inkriminimit të të miturve dhe rinisë në përgjithësi.

“Shpesh herë përfshirja e tyre në vepra kriminale apo devianca shpjegohet si një mënyrë për t’u pasuruar. Ka një pabarazi shumë të fortë midis grupeve sociale: midis të rinjve shqiptarë ke një pakicë shumë të vogël që është shumë e pasur dhe një shumicë që është shumë e varfër”, shprehet Rira.

Ajo thekson ndërveprimin familje-shkollë-institucione si çelësin e suksesit për parandalimin e konflikteve.

“Shkolla, policia, prokuroria, gjykatat dhe organet ligjzbatuese nuk duhet të fokusohen vetëm tek ndëshkimi. Ndëshkimi mbasi ka ndodhur një vepër kriminale është një gjë, por puna është ta parandalojmë atë. Pra, para se të kryhet vepra kriminale, para se të kemi vrasje apo incidente me thika dhe armë të ftohta, duhet të bëhet një gjurmim dhe komunikim sa më i mirë që të mos shkohet deri tek ngjarja”, theksoi ajo.

Por me shumë rëndësi, sipas saj është mbështetja reale  për rininë.

“Duhet pasur shumë kujdes me të rinjtë shqiptarë. Vetëaktualizimi, thoshte Maslow, një nga psikologët më të mëdhenj, është një nga nevojat bazë të njeriut. Që njeriu të ndjehet se ekziston, se jeton dhe se ka zë në një shoqëri e komunitet, duhet të ketë programe të menaxhimit të konflikteve. Kjo është një mënyrë për të shmangur konfliktet”, shpjegon Rira.

Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti në të gjithë vendin janë identifikuar 545 të mitur si autorë të së paku një vepre penale. 160 prej tyre janë nën moshën 14 vjeç dhe në disa raste dhe përsëritës të veprës penale.

Veprat penale që ata kryejnë janë kryesisht:  vjedhja, shpërndarja e lëndëve narkotike, drejtimi i mjetit pa patentë por edhe konfliktet që jo rrallë herë kanë sjellë pasoja të rënda.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme