Inspektimi disiplinor në Shqipëri, Metani: Mjet shumë i rëndësishëm për ruajtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani e konsideroi inpektimin disiplinor në Shqipëri, si një prej mekanizmave më të rëndësishëm për ruajtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë.

Në fjalën e mbajtur në aktivitetin për inspektimin disiplinor në Shqipëri, Metani u ndal te punimet e fundit kërkimore të ILD, të cilat kanë përfunduar në botimin e një materiali historik që dokumenton për herë të parë zhvillimin e shërbimit të inspektimit gjyqësor dhe të prokurorisë në vend, që prej vitit 1912.

“Për hir të së vërtetës, kur me kolegët në zyrën e ILD, menduam dhe diskutuam idenë e rrugëtimit të shërbimit të inspektimit gjyqësor dhe atij të prokurorisë në Shqipëri, ishim shumë entuziastë, por edhe pasigurt, nëse do të arrinim të tregonim gjerësisht zhvillimin e inspektimit të magjistratëve në Shqipëri. Inspektimi gjyqësor mbetet shpesh në hije dhe vëmendjen publike e marrin natyrshëm vendimet gjyqësore. Por, inspektimi gjyqësor mbetet një mjet shumë i rëndësishëm për ruajtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë.

Duke patur parasysh këtë, por edhe mundesitë reale, që ILD të prodhonte një dokumentim historik, të të gjithë ecurisë e shërbimit të inspektimit gjyqësor në Shqipëri, që prej vitit 1912, sfida dukej gati e pakapërcyeshme,” u shpreh Metani.

Ai theksoi se projekti për të hartuar një panoramë të plotë historike ishte një sfidë e madhe, për shkak të mungesës së dokumentimit të qartë ndër vite, por që sot është finalizuar përmes një botimi të posaçëm dhe një dokumentari.

Teksa solli shembuj të mekanizmave disiplinorë të përdorur gjatë periudhës së monarkisë, ku profesionalizmi i magjistratëve ishte thelbësor, Metani  foli edhe për kthesën historike të reformës në drejtësi të vitit 2016, që për herë të parë i dha një institucioni të vetëm (ILD-së) kompetencën e inspektimit disiplinor për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit.

“Koha tregoi se nuk ishte mjaftueshëm për të patur një sistem të pavarur e garantues të shtetit të së drejtës, përderisa, me një konsensus të rrallë politik pozitë-opozitë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në korrik 2016 reformën në drejtësi, e cila riformatoi gjithë sistemin përmes një arkitekture të re, e cila si emërues të përbashkët kishte pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve. Në këtë arkitekturë të re, procesi disiplinor vjen për herë të parë si kompetencë e një institucioni të vetëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një institucion i pavarur kushtetues, që ka përgjegjësinë e inspektimit disiplinor për gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve”, nënvizoi Metani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme