Instalohet pista e patinazhit, Korçës i shtohet edhe një atraksion turistik për sezonin dimëror
Punimet sapo kanë nisur, ndërsa struktura prej akulli po vendoset në sheshin e kullës panoramike, aty ku çdo dhjetor mbledh qindra vizitorë, familje dhe të rinj.
Sapo të ketë përfunduar instalimi i plotë, do të kryhen edhe provat nëse ajo do të jetë gati për të nisur nga puna duke iu referuar edhe kushteve atmosferike.
Pista e patinazhit do të jetë e hapur për publikun gjatë gjithë sezonit dimëror, duke sjellë gjallëri dhe atmosferë festive në qytet.
Ndriçimi dekorativ, muzika dhe aktivitetet që do të organizohen rreth saj pritet ta kthejnë këtë hapësirë në një nga pikat më të vizituara të Korçës.
Burime në bashkinë e qytetit theksojnë se pista nuk është vetëm zbavitje, por edhe një nxitje për turizmin dimëror, i cili çdo vit sjell fluks të madh vizitorësh në qytetin juglindor.
Kjo pistë vendoset në qytet prej më shumë se 10 vitesh rradhazi nga shoqata BID Korça në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit ndërsa fëmijë e të rritur, që janë adhurues të patinazhit, do të kenë mundësi të bëjnë xhirot mbi akull.
Me instalimin e pistës, Korça konfirmon edhe një herë traditën e saj për të krijuar atmosferën më të bukur festive në vend.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



