Instituti i Kontabilistëve feston 25-vjetorin, në qendër të diskutimeve teknologjia, rritja e standarteve të mbikëqyrjes financiare
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar organizoi një konferencë me rastin e 25-vjetorit të themelimit të tij. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga fusha e ekonomisë dhe politikës, të cilët vlerësuan kontributin e institutit në zhvillimin e profesionit të kontabilistit.
Konferenca mblodhi profesionistë nga Shqipëria dhe rajoni, ku u diskutuan çështje që lidhen me rolin e kontabilistëve dhe sfidat e profesionit.
Presidenti i Institutit, Sotiraq Dhamo, tha se gjatë 25 viteve të funksionimit, IKM ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e standardeve dhe rritjen e profesionalizmit në këtë fushë.
“Sfida të reja paraqiten para profesionit të kontabilistit, të cilat kërkojnë vizion dhe strategji të duhur për t’u përballuar, dhe IKM e ka të gjithë kapacitetin dhe vullnetin për këtë qëllim. Le të përdorim këtë konferencë për të ndarë eksperiencën e këtyre 25 viteve dhe vizionin dhe strategjinë që duhet të ndjekim për zhvillimin e profesionit dhe vetë IKM-së në të ardhmen”, tha Dhamo.
Kryetari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, Dritan Fino, renditi një sërë sfidash të reja me të cilat përballet profesioni i kontabilistit në ditët e sotme.
“Përdorimi i teknologjive të reja, automatizimi dhe digjitalizimi i proceseve, nevoja për aftësi analitike digjitale, konkurrencë globale dhe standarde gjithnjë e më të larta, e mbi të gjitha sfida e tërheqjes së të rinjve në profesion, që kërkon modernizim, rritje të atraktivitetit dhe modelim të një kulture profesionale që frymëzon besim dhe perspektiva afatgjatë”, tha Fino.
Sipas Kryetarit Fino, projekti “Forcimi i cilësisë së auditimit dhe raportimit në Shqipëri (SQARP)” ka ndikuar në rritjen e rolit mbikëqyrës të BMP-së dhe në përmirësimin e standardeve të shërbimeve të kontabilitetit, përfshirë edhe kontabilitetin hetimor (“Forensic”).
Ne takim u diskutua gjithashtu edhe për ndikimin e inteligjencës artificiale në profesionin e kontabilistëve, si dhe roli i tyre në luftën kundër informalitetit.
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar theksoi se mbetet i angazhuar në proceset e inovacionit dhe transformimit digjital, me synimin për të rritur cilësinë e shërbimeve profesionale dhe kontributin e profesionit në zhvillimin ekonomik të vendit.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




