Ish ambasadori Sylë Ukshini: Kurti duhet të kishte bërë kompromis, jo të shkonte në parlament pa marrëveshje

Kosovë | 12 muaj më parë

Ish-ambasadori dhe analisti politik Sylë Ukshini, i ftuar në emisionin Mirëmëngjes Shqipëri, ka komentuar ngërçin e fundit politik në Kosovë, duke kujtuar se situata e tanishme i ngjan asaj të vitit 2014, por me një dallim thelbësor.

“Në vitin 2014 kishte një ngërç disa mujor, por atëherë zgjedhjet i kishte fituar ish-presidenti Thaçi, ndërsa LVV realizoi një bllok të partive humbëse dhe thoshte ‘ne jemi fitues’. Tani situata është ndryshe partitë e opozitës e kanë njohur fitoren e LVV-së”, tha Ukshini.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte fituar mbi 51 për qind në zgjedhjet e para katër vjetëve, kishte përgjegjësinë për të gjetur një partner koalicioni, por nuk e bëri këtë.

“Me gjasë e llastuar nga fitorja e madhe e 2021-shit, nuk arriti të gjejë një partner. Duhet ta pranojmë se pati pak arrogancë gjatë qeverisjes dhe në fushatë. Fjalët që përdori Kurti në fillim dolën fatale për raportet me opozitën”, theksoi ai.

Ukshini u shpreh se në vend që të kërkonte ndryshimin e mandatarit, Kurti duhej të kishte treguar fleksibilitet politik.

“Unë nuk do ta ndërroja mandatarin, por do t’i ofroja Fatmir Limajt postin e kryetarit të Parlamentit dhe sot Kosova do të kishte kryeministër”, shtoi ai, duke kujtuar se gjatë seancës konstituive të 25 prillit mund të ishte shmangur ngërçi aktual nëse Limaj do ta kishte pranuar atë pozicion.

Analisti theksoi se sistemi kushtetues i Kosovës kërkon domosdoshmërisht marrëveshje politike pas zgjedhjeve.

“Një herë ndodhi në vitin 2021 për shkak të Gjykatës Speciale, por s’mund të ndodhë çdo katër vjet që të pritet ndonjë arrestim për të bërë shumicën. Ai që fiton duhet të ketë aftësinë për të dhënë diçka dhe për të ndërtuar koalicionin”, tha Ukshini.

Sipas tij, Vetëvendosje ka bërë një gabim taktik duke i ofruar bashkëpunim vetëm LDK-së dhe Nismës, duke lënë jashtë PDK-në.

“Madje, PDK-në e trajtoi si në të njëjtin kamp me Listën Serbe kjo ishte një gabim politik”, shtoi ai.

I pyetur nëse Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, Sylë Ukshini u shpreh skeptik se brenda afatit kushtetues prej 15 ditësh mund të arrihet konsensus për mandatarin Glauk Konjufca.

“Unë kam respekt për Konjufcën është intelektual dhe politikan i ri që gëzon respekt në skenën politike por problemi nuk lidhet me të. Ideja është se po shkohet me një mandatar pa marrëveshje. Po i bie sikur i kanë votat, por nuk i kanë”, tha ai.

Sipas Ukshinit, Konjufca do të kishte potencial për konsensus nëse do të kishte “duart e lira” për të negociuar, pasi është ndër të paktët politikanë që ka ura bashkëpunimi me partitë e tjera.

Në fund, ish-ambasadori theksoi se nëse Kosova përfundon në zgjedhje të parakohshme, secila parti do të kërkojë të maksimizojë përfitimet e saj, por përgjegjësia për moskrijimin e institucioneve mbetet te partia fituese. “Çdo parti tenton të fitojë, por barra e krijimit të institucioneve i takon fituesve. Vetëvendosje duhet të kishte bërë kompromis për të ruajtur pozitën

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme