Izraeli lejohet të konkurrojë, Holanda, Spanja dhe Irlanda bojkotojnë Eurovizionin

Kulturë | 11 muaj më parë

Izraeli është lejuar të marrë pjesë në edicionin e vitit të ardhshëm të Festivalit Europian të Këngës, Eurovision. Unioni Europian i Transmetuesve Publikë, që është organizator i festivalit, bëri me dije përmes një deklarate se, në asamblenë e tij të përgjithshme të mbajtur në Gjenevë, një pjesë e madhe e anëtarëve treguan mbështetje të qartë për reforma që synim kanë përforcimin e besimit dhe mbrojtjen e neutralitetit të kompeticionit, dhe vendosën të mos mbanin votim për pjesëmarrjen e Izraelit në Eurosongun e vitit të ardhshëm, duke i hapur kështu rrugën një pjesëmarrjeje të tillë.

“Shumica vendosi që edicioni i vitit të ardhshëm i festivalit më të madh të muzikës live në botë të vazhdojë ashtu siç ishte planifikuar”, shkruhet ndër të tjera në deklaratë, pas së cilës, ashtu siç kishin paralajmëruar, transmetuesit publikë të Irlandës, Sllovenisë, Spanjës dhe Holandës, vende që kanë kritikuar luftën e Izraelit në Rripin e Gazës, njoftuan se nuk do të marrin pjesë në festivalin që vitin e ardhshëm mbahet në Vjenë të Austrisë.

“Situata në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit dhe miratimit të procesit të paqes, dhe përdorimi i festivalit për qëllime politike nga Izraeli, e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e Eurovisionit si një ngjarje kulturore neutrale”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i transmetuesit RTVE të Spanjës, Alfonso Morales, në një deklaratë.

Spanja është një nga pesë kombet që japin kontributet më të mëdha financiare në Unionin Europian të Transmetuesve Publikë dhe kualifikohet në mënyrë automatike në finalet e eventit botëror muzikor.

Por presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u shpreh se vendi i tij meritonte të përfaqësohej në çdo skenë të botës.

“Jam i kënaqur që Izraeli do të marrë pjesë sërish në Festivalin Europian të Këngës dhe shpresoj që kjo ngjarje të vijojë të jetë në mbështetje të kulturës, muzikës, miqësisë mes kombeve dhe mirëkuptimit ndërkufitar kulturor”, u shpreh Herzog në rrjetin social X.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme