Japonia goditet nga tërmeti 7.1 ballë/Raportohet për të plagosur dhe shembje ndërtesash nga lëkundjet e forta
Shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar brenda një qendre tregtare të dëmtuar nga një tërmet i fortë që goditi juglindjen e Japonisë, ku mediat vendase raportojnë për humbje jete. Sipas tyre shembja e godinës erdhi pasi më parë pati një shpërthim.
Epiqendra e lëkundjeve, pas goditjes sizmike me magnitudë 7.1 ballë, e cili la të plagosur disa persona dhe shkaktoi dëme materiale në ndërtesa u regjistrua në provincën Kumamoto. Më herët një paralajmërim për cunami u tërhoq pasi u njoftua menjëherë pas lëkundjeve të forta, që sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë u regjistruan në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.
“Tërmeti i fuqishëm shembi ndërtesa dhe shkaktoi zjarre në jugperëndim të Japonisë” – bëri me dije kryeministrja Sanae Takaiçi duke konfirmuar se ka edhe të plagosur, ndërsa transmetuesi NHK raportoi se dhjetëra persona u dërguan në spital.
Autoriteti i Rregullimit Bërthamor tha se nuk u regjistruan anomali të menjëhershme në termocentralet bërthamore në Japoni, ndërsa rreth 45 mijë familje dhe objekte janë pa energji elektrike në rajonin e Kumamotos. Provinca japoneze është goditur nga dy tërmete shkatërruese edhe në vitin 2016, ku humbën jetën mbi 270 persona dhe u plagosën mbi 2800 të tjerë.
Japonia është një nga vendet me aktivitetin më të lartë sizmik në botë, pasi ndodhet në majë të katër pllakave kryesore tektonike përgjatë skajit perëndimor të “Unazës së Zjarrit” të Paqësorit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




