“Jep një lekë sot, merr dy nesër”- Pensioni i së ardhmes, sfidë kryesore sektori privat dhe formalizimi i ekonomisë

Ekonomi | 6 muaj më parë

Qeveria po përgatit një reformë të thellë në skemën e pensioneve, duke synuar një model të ri ku individët që kontribuojnë vullnetarisht do të përfitojnë një kontribut të barabartë edhe nga punëdhënësi, në përpjekje për të forcuar lidhjen punëdhënës–punonjës në afat të gjatë.

“Kjo do të jetë një skemë e cila do të fillojë të zbatohet nga vetë sektori publik, në mënyrë që të japë shembull edhe për sektorin privat. Në rastin e administratës publike, fondet do të jenë pikërisht nga buxheti i shtetit, ndërsa në rastin e sektorit privat, në fakt kjo është një kosto e shtuar për punëdhënësin”, tha eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa.

Për Sefën është e nevojshme një balancim i përfitimeve nga skema e propozuar për kategoritë të ndryshme të përfituesve.

“Kjo skemë jep një farë përfitimi, por ata që kanë paga më të larta pa dyshim përfitojnë shumë më tepër dhe duhet gjetur një mekanizëm më i drejtë dhe më balancues, në mënyrë që edhe ata që janë më poshtë të kenë mundësi të përfitojnë sa më shumë prej kësaj skeme” nënvizoi ai.

Eksperti shpreh nevojën qe rekomandimet e Bankës Botërore të përkthehen sa më shpejt në ndërhyrje ligjore.

“Rritja e shumëfishtë e pensioneve mund të ndodhë vetëm nëse vërtet do të kemi një reformë strukturore të pensioneve dhe jo thjesht një bonus vjetor të ndarë në muaj, siç është ai aktual në fuqi”, tha Sefa.

Kjo nismë shënon një zhvendosje nga modeli tradicional drejt një sistemi hibrid, që ndërthur rolin e shtetit me kursimet individuale dhe sektorin privat. Ndërkohë suksesi i saj do të varet nga zbatimi real në treg dhe formalizimi i ekonomisë

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme