Kallas: Dialogu Kosovë–Serbi ka ngecur, BE po shqyrton mjete të tjera për normalizim

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur dhe se BE-ja po shqyrton mundësinë e përdorimit të mjeteve të tjera për të arritur normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kallas tha se është e gatshme të shqyrtojë mundësitë e reja për të shtyrë përpara procesin e normalizimit, duke theksuar se këtë do ta bëjë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, në ditët në vijim.
“Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ose dialogun Beograd-Prishtinë, unë kam emëruar një Përfaqësues të Posaçëm, me të cilin do të ulem për të parë të ardhmen. Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim”, u shpreh ajo.
Kallas theksoi se është e rëndësishme të ruhet fokusi në objektivin kryesor: normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duket se dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje, normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane. Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, shtoi Kallas.
Sa i përket protestave që po zhvillohen në Serbi, Kallas i konsideroi ato si një shenjë të funksionimit të demokracisë, duke theksuar se protestat ndodhin edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Sa i përket protestave, kjo është demokracia, ndodh edhe në vendet anëtare të BE-së që njerëzit të lodhen nga qeveritë dhe të protestojnë. Kjo tregon se demokracia po funksionon”, tha Kallas.
Kallas ka njoftuar gjithashtu se do të vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme për të diskutuar më tej me liderët e rajonit rreth mundësive për avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




