Kandidati për SPAK, Xholi rrëfen dosjet e bujshme të karrierës: Vrasja e Glinës dhe masakrat e ’97 tregojnë eksperiencën time

Kandidati për kreun e ri të SPAK-ut, Adnan Xholi, në fjalën e tij gjatë prezantimit të platformës para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bëri një panoramë të gjerë të eksperiencës profesionale dhe vizionit për të ardhmen e Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë fjalës së tij, Xholi rikujtoi fillimet e karrierës në vitin 1999, kur u emërua prokuror në Gjirokastër, ku u angazhua në hetimin e disa prej çështjeve më të rënda të periudhës së trazuar të vitit 1997.
“Kam hetuar çështje sensitive të ndodhura në vitin 1997. Një prej tyre ishte e njohur si vrasja e Glinës, ku një grup i armatosur me shtrirje nga Vorë në Tepelenë grabiste shtetas që ktheheshin nga Greqia dhe i zinte në kurth në zonën kufitare. Katër shtetas u vranë nga ky grup. Autorët u identifikuan dhe u dënuan; për ekzekutorin kam kërkuar dënim të përjetshëm”, deklaroi Xholi.
Ai përmendi gjithashtu hetimin e ngjarjeve të rënda të njohura si Masakra e Cërrikut dhe Masakra e Qafë-Gjashtës, si dhe çështjet e rrëmbimit të dy biznesmenëve, që u mbajtën për ditë të tëra nën dhunë fizike e psikologjike për të siguruar shuma të mëdha parash.
“Dy çështje të tjera kanë të bëjnë me rrëmbimin e biznesmenëve. Dy biznesmenë u rrëmbyen, një në fshatin Peshkopi dhe një në qytetin e Gjirokastrës. I rrëmbyen për një periudhë 9-18 ditë, ushtruan dhunë psikologjike dhe fizike. Duke i detyruar të hapnin varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuara, ishin 100 mln dhrami”, tha Xholi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




