Kategoria e Parë, Besa-Lushnja dhe Skënderbeu-Laçi në RTSH

Java e pestë e Kategorisë së Parë hapet të premten me dy sfida interesante, Besa-Lushnja dhe Skënderbeu-Laçi, takime që do të vijnë drejtpërdrejt në RTSH Sport.
Në orën 16:00 në stadiumin e Luzit, ekipi kavajas pas dy humbjeve radhazi kërkon të rimëkëmbet për të mos humbur më tepër terren në klasifikim. Besa e nisi me ambicie të mëdha, por tani është momenti që lojtarët të fitojnë psikologjinë dhe moralin ndaj një kundërshtari tradite, por që realisht nuk ka bërë mirë me katër barazime radhazi, çka solli largimin e trajnerit Erion Xhafa. Presioni është faktor i madh, dy ekipet kërkojnë stabilitet dhe të provojnë që janë sërish pretendente.
Emocionet nuk do të përfundojnë sepse në orën 19:00, në Korçë, luhet Skënderbeu-Laçi, dy ekipe që kryesojnë kampionatin. 3 fitore dhe një barazim është bilanci i skuadrës së Gjokës që ndodhet në vendin e parë me 10 pikë, duke treguar që në start ambiciet për t’u rikthyer në elitë. Po me këtë hap është edhe ekipi kurbinas, që ndodhet vetëm 1 pikë larg. Laçi kërkon të fitojë në Korçë për të treguar forcë e karakter e për të përmbysur hierarkitë në klasifikim.
Të shtunën në orën 16:00 do të luhen 4 sfidat e tjera të javës së 5-të në Kategorinë e Parë. Kukësi do të përballet në shtëpi me Pogradecin, ndërsa Luftëtari do të sfidojë Ilirinë. Kastrioti-Burreli dhe Korabi-Apolonia janë dy ndeshjet e tjera të ditës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




