Katër vite nga agresioni rus, ambasadori Shkurov: Ukraina kërkon paqe të drejtë. Shqipëria, një partner i besueshëm

Aktualitet | 8 muaj më parë

Katër vite pas nisjes së agresionit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës, Ambasadori ukrainas në Tiranë, Volodimir Shkurov, zhvilloi një aktivitet përkujtimor, ku theksoi rezistencën dhe qëndrueshmërinë e popullit ukrainas përballë një prej agresioneve më të ashpra në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në fjalën e tij, Shkurov kujtoi mëngjesin e 24 shkurtit 2022, kur bota u zgjua me lajmin e sulmit rus.

“Katër vite më parë, mëngjesin e 24 shkurtit, bota u zgjua me një realitet të tmerrshëm që shumëkush besonte se i përkiste së shkuarës. Rusia nisi një luftë agresioni për të shkatërruar një shtet sovran, për të heshtur një komb të lirë dhe për të ndryshuar me forcë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht”, deklaroi ambasadori.

Ai theksoi se Ukraina nuk e zgjodhi luftën, por zgjodhi të qëndrojë dhe të mbrojë parimet e saj.

“Kjo luftë nuk ishte zgjedhja e Ukrainës. Ukraina nuk e zgjodhi luftën. Por Ukraina zgjodhi rezistencën. Për katër vite me radhë, populli ukrainas ka mbrojtur të drejtën themelore për të jetuar, jo vetëm tokën dhe shtëpitë, por edhe sovranitetin, lirinë dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e vet”, u shpreh ai.

Shkurov foli gjithashtu për koston e lartë njerëzore të luftës. Ai deklaroi se qindra mijëra njerëz janë vrarë ose plagosur dhe se mijëra qytete dhe komunitete janë shkatërruar, përfshirë qytetet Mariupol dhe Bakhmut.

“Rreth 17 mijë civilë janë vrarë, përfshirë 684 fëmijë. Këto shifra nuk janë përfundimtare. Shkalla e vërtetë e tragjedisë do të dihet vetëm pas përfundimit të luftës dhe hapjes së aksesit në territoret e pushtuara”, tha ambasadori.

Shkurov theksoi gjithashtu problemet me fëmijët e deportuar dhe civilët në robëri. Ai theksoi se faktet e krimeve kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë të dokumentuara.

“Aproximativ 20 mijë fëmijë ukrainas janë deportuar në Rusi, ndarë nga familjet e tyre dhe privuar nga identiteti, gjuha dhe emri. Rreth 8 mijë ushtarë dhe 10 mijë civilë mbeten në robëri ruse. Këto janë fakte të dokumentuara të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, deklaroi ambasadori.

Shkurov gjithashtu përmendi sfidat e dimrit të ashpër, ku sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile kanë lënë miliona njerëz pa ujë, ngrohje dhe energji elektrike.

“Spitalet tona funksionojnë me gjeneratorë, duke shpëtuar jetë nën zhurmën e shpërthimeve. Ne qëndrojmë falë forcave tona të armatosura, falë mjekëve, mësuesve, punonjësve të emergjencave dhe gjithë qytetarëve që mbajnë gjallë rezistencën e vendit tonë”, u shpreh Shkurov.

Ambasadori falënderoi edhe Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme.

“Falënderoj sinqerisht qeverinë dhe popullin e Shqipërisë, një partner i besueshëm, një vend që e njeh mirë çmimin e lirisë së fituar përmes sakrificës”, tha ambasadori.

Ai nënvizoi se Ukraina nuk kërkon një kompromis të brishtë, por një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, që rikthen integritetin territorial dhe garanton siguri për brezat e ardhshëm.

“Ukraina nuk kërkon një konflikt të ngrirë. Ukraina kërkon një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, që rikthen integritetin tonë territorial dhe garanton siguri për brezat e ardhshëm. Rezultati i kësaj lufte do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe sigurinë e Evropës”, shtoi ai.

Në përfundim, Shkurov i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për mbështetje dhe theksoi rolin e solidaritetit global.

Aktiviteti përkujtimor u zhvillua në prani të përfaqësuesve të diplomacisë, autoriteteve vendore dhe komunitetit ukrainas në Shqipëri, duke vënë në fokus solidaritetin ndërkombëtar dhe mbështetjen për popullin ukrainas gjatë katër viteve të luftës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme