Kërcënohet armëpushimi, Izraeli godet Libanin, Trump: Trupat e SHBA-së do të qëndrojnë rreth Iranit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Iranit të rihapë Ngushticën e Hormuzit pasi Republika Islamike e mbylli si përgjigje ndaj sulmeve të Izraelit ndaj grupit Hezbollah në Liban.
Trump paralajmëroi Teheranin se forcat amerikane do të qëndrojnë të vendosura në dhe përreth atij vendi derisa të arrihet një marrëveshje e vërtetë armëpushimi.
“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, me municione, armë shtesë dhe çdo gjë tjetër që është e përshtatshme dhe e nevojshme për ndjekjen dhe shkatërrimin vdekjeprurës të një armiku tashmë të degraduar në mënyrë të konsiderueshme, do të mbeten në vend, brenda dhe përreth Iranit, derisa marrëveshja e vërtetë e arritur, të zbatohet plotësisht”- shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Pavarësisht të gjithë retorikës së rreme për të kundërtën, asnjë armë bërthamore nuk do të përdoret dhe Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur dhe e sigurt”- shtoi ai.
Armëpushimi përballet me pasiguri serioze, pasi Izraeli tha se marrëveshja nuk e përfshin Libanin. Ushtria izraelite goditi mbi 100 objektiva në atë vend në sulmet e saj më të mëdha të koordinuara që nga fillimi i luftës, duke vrarë mbi 250 persona mes të cilëve edhe sekretarin e kreut të grupit militant dhe plagosur mbi 900 të tjerë.
Ndërsa Hezbollahu tha të enjten se goditi me raketa Izraelin verior në përgjigje të shkeljes së armëpushimit.
Të njëtën gjë pretendoi edhe zëvendësministri i Jashtëm i Iranit Saeed Khatibzadeh në një intervistë për BBC-në, ndërsa presidenti iranian Masud Pezeshkian theksoi se armëpushimi në Liban është kusht thelbësor i marrëveshjes së vendit të tij me Uashingtonin.
Sakaq, delegacioni i Iranit që drejtohet nga kreu i Parlamentit Mohammad Baker Kalibaf dhe ministri i Jashtëm Aragçi do të shkojnë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Pakistani në Islamabad.
Shqetësimet mbi armëpushimin krijuan pasiguri të tregjeve globale financiare dhe çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit të enjten në 97.23 dollarë për fuçi, pas rënies që pësoi një ditë më parë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




