Kledi Disha, kampion Bote

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Kledi Disha është shpallur Kampion Bote në MMA, kjo në peshat e lehta. 19-vjeçari ka fituar ndaj anglezit Brogan Uajt në një ndeshjet me pesë raunde, ndërsa ka dhënë maksimumin e tij në një duel shumë të luftuar. I mbështjellur me flamurin kuqezi, ai ka festuar me të gjithë shqiptarët në Britaninë e Madhe. Ja dhe emocionet e tij

“Ndeshja ka qenë për titullin e Botës në peshat e lehta. Kundërshtarin e kam patur nga Anglia dhe vinte nga një prej palestrave më të mira angleze. Për më tepër renditej në top pesëshen e Botës për këtë peshë. Ndaj jam i lumtur”, tha për RTSH Sport, Kledi Disha

E për Kledin ky titull është stimul dhe motiv për të ecur më tej

“Nuk e kuptoja. Nuk e besoja vetë unë që me të vërtetë e kam fituar këtë titull. Kam patur mbi 100 e ca shqiptarë, të cilët po më shihnin e po më mbështesnin mua. Dhe kur të gjithë ata nisën duke shkundur vendin atëherë mua më ka ardhur një kënaqësi aq e madhe sa me veten time po mendoja se mezi po pres që të shkoj nëpër stërvitje e gara më të mëdha për të marrë tituj më të rëndësishëm. Sepse dua t’i tregoj Botës dhe të gjithëve që unë jam i lindur për këtë sport”, ka përfunduar Disha.

Kampioni i Botës ka lindur në Novosej të Kukësit, ndërsa ka emigruar së bashku me familjen në Britaninë e Madhe. Rrugëtimin në MMA e ka nisur prej vitesh e tanimë ka nisur t’i ketë radhazi trofetë duke përfshirë këtu dhe Kampion i Anglisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme