Klopp dhe vendimet e para, Kimmich kapiten, Undav nuk do të grumbullohet, Keidel kurorëzon ëndrrën

Gjermani | 49 minuta më parë

Jürgen Klopp do të bëjë publike nesër (të enjten) listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjet e radhës të Nations League. Komisari teknik i Gjermanisë ka nisur t’i japë formë skuadrës së tij, e cila pritet që të ketë kapiten Joshua Kimmich. Mesfushori i FC Bayern shikohet si një lojtar deciziv nga Klopp si për çështjet në lidhje me fushën dhe ato me dhomat e zhveshjes. 31-vjeçari është një lider dhe autoriteti i tij nuk diskutohet nga grupi i lojtarëve. Klopp ka kontaktuar me Kimmich gjatë ditëve kur vizitoi ekipin e FC Bayern-it dhe e siguroi lojtarin se që nga ky moment roli i tij nuk do të ndryshonte dhe se do të vendosej në fushë përpara mbrojtjes.

Felix Kaidel

Sa i përket ftesave Klopp ka surprizuar pasi në listën e tij figuron emrin i Felix Keidel. Mbrojtësi i SV Elversberg do të ftohet për herë të parë nga kombëtarja katër herë kampione e botës edhe pse ka mundur që të regjistrojë vetëm tre ndeshje në kategorinë kryesore të futbollit gjerman, Bundesliga. 23-vjeçari do të aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes pasi ai është pozicioni i tij i preferuar edhe pse mund të aktivizohet edhe si mesfushor qëndre.

Një tjetër surprizë vjen edhe nga reparti i sulmit ku Deniz Undav është informuar nga Klopp se nuk do të jetë pjesë e listës së lojtarëve të grumbulluar për katër takimet e radhës. A.V.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme