Klos/ Tragjedi gjatë ngjitjes me litar, 33-vjeçari humb jetën në lumin Mat, RENEA dhe ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit
Një 33-vjeçar ka humbur jetën në lumin Mat, pranë urës së Vashës në Klos, pas një aksidenti gjatë një aktiviteti fizik me litar. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, kur i riu Erkin Lika ishte duke kryer ngjitje me litar dhe dyshohet se ka humbur ekuilibrin, duke rënë në ujërat e lumit.
Sipas të dhënave paraprake, 33-vjeçari mund të ketë përfunduar në një gropë thithëse në një pjesë të lumit, çka ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta shpëtimi, përfshirë edhe palombarët e repartit RENEA, të cilët kanë nisur kërkimet për gjetjen dhe nxjerrjen e trupit nga uji.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të ndërhyrjes, kërkimet deri më tani nuk kanë sjellë rezultat dhe trupi i pajetë i 33-vjeçarit ende nuk është nxjerrë nga lumi. Autoritetet vijojnë operacionin në zonën pranë urës së Vashës, ndërsa pritet përfundimi i kërkimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




