Koçiu prezanton rritjen e pagave për Policinë dhe projektin e kamerave inteligjente në 20 qytete: Buxheti më i lartë historik

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi sot në Kuvend buxhetin e vitit 2026 për rendin dhe sigurinë, duke e cilësuar atë si “buxhetin më të lartë historik” për këtë institucion.
Në fokusin e paketës së re financiare janë dy shtylla kryesore: rritja e ndjeshme e pagave për uniformat blu përmes një formule të re dhe monitorimi digjital i territorit me kamera inteligjente në 20 qytetet më të mëdha.
Formula e re, ushqimi bëhet pjesë e pages
Lajmi më i rëndësishëm për mbi 12 mijë punonjësit e Policisë së Shtetit është ndryshimi i strukturës së pagës. Ministrja njoftoi se për herë të parë, bonusi i ushqimit nuk do të jepet më si kupon i veçantë, por do të integrohet si pjesë e pagës, duke u llogaritur në sigurime dhe pension.
“Përpos njehsimit të inflacionit, punonjësit përfitojnë nga ndryshimi i formulës së vjetërsisë dhe bonusi i ushqimit si pjesë integrale e pagës. Si rezultat, një Inspektor i thjeshtë, nga 80.500 lekë që paguhet sot, do të marrë 100.000 lekë,” deklaroi Koçiu.
Ajo solli në vëmendje kontrastin me 12 vite më parë, kur sipas saj, “inspektori paguhej vetëm 300 euro”.
Nga rritja përfitojnë gjithashtu 1,491 punonjës të Gardës, 1,389 zjarrfikës dhe stafi civil i ministrisë.
Projekti “Smart City”, kamera në 20 qytete dhe shkolla
Përtej pagave, Koçiu theksoi se viti 2026 do të jetë viti i teknologjisë dhe automatizimit. Ministria do të avancojë me vendosjen e kamerave inteligjente në pikat nevralgjike të vendit.
“Do të çojmë përpara projektin transformues në 20 qytetet më të mëdha, në akset rrugore kryesore dhe shkollat. Monitorimi automatik do të zbardhë dhe parandalojë shkeljet, nga ato të qarkullimit rrugor e deri te rregullat e bashkëjetesës në lagje,” u shpreh ministrja.
Krimi kibernetik dhe ndërtimet pa leje
Në fjalën e saj, Koçiu renditi disa prioritete kyçe që do të mbështeten nga ky buxhet
Kontrolli i territorit
Ministrja paralajmëroi “zero tolerancë” për ndërtimet pa leje, duke e quajtur aksionin jo thjesht inspektim, por “rikthim të rendit ligjor në çdo metër të territorit”.
Krimi kibernetik
Synohet rritja eksponenciale e kapaciteteve dhe krijimi i një kuadri të qartë ligjor për të luftuar mashtrimet financiare online.
Integrimi në BE
Buxheti mbështet plotësimin e detyrave për kapitujt 23 dhe 24, me synim mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.
“Shqipëria sot është vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon dhe ky buxhet rrit standardet e sigurisë për qytetarët dhe turistët,” përfundoi Koçiu.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




