Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dënon sulmet e fundit ruse ndaj Ukrainës

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty ka dënuar sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Të dhënat e reja të OKB-së që tregojnë se viti 2025 ishte viti më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në 2022.
Sipas Misionit të Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së (HRMMU), në 2025 u vranë 2,514 civilë dhe u plagosën 12,142 — një rritje prej 31% në vdekje krahasuar me 2024 dhe numri më i lartë që nga viti i parë i luftës.
O’Flaherty e quajti shkatërrimin sistematik të infrastrukturës energjetike gjatë dimrit të ftohtë një sulm ndaj shëndetit fizik dhe mendor, dinjitetit dhe sigurisë së popullit ukrainas.
Në javët e fundit, Rusia ka nisur valë të përditshme raketash dhe dronësh kundër termocentraleve, nënstacioneve dhe objekteve të ngrohjes në të gjithë Ukrainën.
Goditje të mëdha kanë pësuar Dnipro, Zaporizhzhia, Kyiv, Lviv, Odesa, Chernihiv dhe Kharkiv, duke lënë qindra mijëra pa energji elektrike në temperatura deri në -15°C.
“Këto sulme të përditshme po pengojnë seriozisht përpjekjet për riparim dhe po lënë miliona civilë pa shërbime thelbësore në mes të temperaturave të ngrira dimërore”, tha O’Flaherty.
Pjesa e majtë e qytetit Dnipro ka mbetur pa energji për pesë ditë radhazi. Spitalet, sistemet e ngrohjes dhe rrjetet e furnizimit me ujë janë ndërprerë në disa rajone. Ndërprerje emergjente të energjisë vazhdojnë në të gjithë vendin.
Komisioneri kujtoi se Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arrest për komandantë ushtarakë rusë për sulmet ndaj infrastrukturës elektrike të Ukrainës.
Gjenerallejtënant Sergei Kobylash dhe Admiral Viktor Sokolov akuzohen për drejtimin e sulmeve ndaj objekteve civile dhe krime kundër njerëzimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



