Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Kos: Në qershor hapim të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë. Me Ramën kemi një marrëveshje

Komisioni Evropian do të hapë në muajin qershor të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë. Lajmi u bë publik nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë një konference në Qendrën për Studime Evropiane në Bruksel.
“Brenda mandatit tim si Komisionere për zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja në BE nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me Edi Ramën ne kemi një marrëveshje. Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita, por ne kemi rënë në ujdi për ta realizuar atë ‘martesë’ të Shqipërisë me Evropën më në fund.”, tha Kos.
Sipas saj, BE-së i duhet që të hapë një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në Qershor.
“Me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Më pas do të fillojë mbyllja e kapitujve, që është gjithashtu një proces shumë i rëndësishëm”, tha komisionerja Marta Kos në fjalën e saj.
Kos deklaroi se e veçonte Shqipërinë pasi, sipas saj, “atje po bëhet një punë e jashtëzakonshme me reformat e integrimit nga qytetarët dhe politikanët.”
Shqipëria, mundësi reale për të qenë pjesë e BE deri në 2030
Bashkimi Evropian është i vendosur të avancojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë integrimin e vendeve të rajonit në familjen evropiane. Edhe gjatë një interviste për televizionin gjerman WELT, komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, tha se Shqipëria dhe Mali i Zi po shënojnë përparim të dukshëm me reformat dhe se vendet kanë një mundësi reale për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.
Sipas saj, nëse progresi vazhdon me ritme të qëndrueshme, negociatat me Malin e Zi mund të përmbyllen deri në fund të vitit 2026, ndërsa me Shqipërinë deri në fund të vitit 2027.
“Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin. Unë vij nga kjo zonë. Dhe vetëm për t’ju dhënë një ide, nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor; Ata duhet të zbatojnë reformat. Dhe ka një element tjetër të rëndësishëm në të kaluarën. Në vitet e fundit, zgjerimi nuk ka qenë aq i rëndësishëm për Komisionin Evropian. Nuk ishte një përparësi. Tani është prioriteti. Edhe shtetet anëtare e thonë këtë.
Kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, të cilat po ecin shumë mirë me reformat e integrimit. Ata e kuptojnë procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomisë së tyre, duke përfshirë edhe zona të tjera në vend. Dhe, për shembull, nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjitha negociatat me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe më pas me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ka mundësi realiste që të dy vendet të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030”, tha Kos.
Grupkapitujt
Pak ditë më parë Shqipëria hapi e grupkapitullit të 3 që përbëhet nga sektori i “Konkurrueshmërisë dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”. Ky grupkapitull përfshinë stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Deri tani Shqipëria ka hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj, ndërsa ambicia e qeverisë shqiptare është që 11 kapitujt e mbetur të përmbyllen deri më 2027, për t’i hapur më pas rrugë anëtarësimit në BE.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




