Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s mblidhet nesër në Tiranë, mes vendimeve pritet të vendoset stadiumi i finales së Champions-it 2026-2027

Shqipëria do të bëhet nesër skena e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qeverisjes së futbollit europian, duke pritur për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Nga sot deri të premten, Federata e Futbollit ka kënaqësinë të presë në Tiranë drejtuesit më të lartë të federatave të kontinentit, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të kryesuar nga Presidenti Aleksander Čeferin.
Kreu i qeverisë së futbollit europian do të mbërrijë pasditen e sotme në aeroportin e Rinasit, ku do të pritet nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Sipas agjendës, ditën e nesërme në orën 09:00, në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë do të zhvillohet një festival futbolli për fëmijë, pjesë e programit të UEFA-s “Futbolli në Shkolla”. Ceremoninë hapëse do ta nderojnë me praninë e tyre Presidenti i UEFA-s Aleksander Čeferin dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Sakaq, pikat kryesore që do të diskutohen në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në Tiranë janë: caktimi i vendeve pritëse të finaleve të e UEFA Champions League 2027, UEFA Women’s Champions League 2027, UEFA Futsal Champions League 2026, UEFA Futsal Under-19 EURO 2027 dhe UEFA Ëomen’s Futsal EURO 2027.
Gjithashtu, në rend dite janë edhe tre çështje të tjera: shpërblimet për finalet e UEFA Women’s Nations League 2025, miratimi i rregulloreve të Kampionatit Europian të Futsalit për vajza dhe rregulloret e fazës kualifikuese europiane për Kupën e Botës FIFA Futsal 2028.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




