Konferenca e Mikrofinancës në Shqipëri, Zv. Guvernatorja: Nevojitet këshillim financiar, të mos kufizohet te kreditë konsumatorë
Konferenca Vjetore e Mikrofinancës u zhvillua këtë vit, duke mbledhur rreth 500 përfaqësues nga më shumë se 40 vende të rajonit, Evropës dhe më gjerë.
Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, theksoi rëndësinë e mikrofinancës në zgjerimin e përfshirjes financiare dhe mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla, veçanërisht për shtresat me akses të kufizuar në sistemin bankar tradicional.
“Veçoria e tregut të mikrofinancës është që ai duhet t’i shërbejë atyre segmenteve të ekonomisë që janë më pak të adresuara nga sektori tradicional bankar dhe këtu përgjithësisht bëjnë pjesë familjarë dhe ekonomi ose mikrobiznese të cilat më së shumti i operojnë në zonat rurale ose në sektorët informalë dhe me të ardhura të ulëta”, tha Ahmetaj.
Ndërsa, anëtari i Bordit të MFC dhe CEO i FEDinvest, Perlat Sulaj, vlerësoi rolin që organizatat mikrofinanciare kanë luajtur në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë që nga periudha postkomuniste, duke ndihmuar mijëra fermerë, të rinj dhe gra të ndërtojnë biznese të qëndrueshme.
“Portofoli i institucioneve të mikrofinancës është rreth 7% e portofolit total të vendit. Natyrisht që kjo është një përqindje modeste, por kur flasim për mikrofinancën flasim gjithmonë për numrin e personave të arritur, të përfshirë dhe zonave të mbuluara”, tha Sulaj.
Në konferencë foli edhe profesori i njohur i London School of Economics, Andrés Rodríguez-Pose, i cili theksoi se Shqipëria duhet të shfrytëzojë potencialin e saj të brendshëm dhe të shmangë imitimin mekanik të modeleve të huaja të zhvillimit.
“Shqipëria duhet të fokusohet në shfrytëzimin e potencialit të saj të brendshëm, zhvillimin e talenteve dhe përshtatjen e modeleve të suksesshme ndërkombëtare me realitetin vendas në mënyrë që të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme dhe inovative”, tha ai.
Ai nënvizoi se zhvillimi ekonomik kërkon institucione të forta, reforma të qëndrueshme dhe besim në sistemin institucional, duke e cilësuar mikrofinancën si një nga mjetet më të rëndësishme për progresin ekonomik dhe social.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




