Konflikti në Lindjen e Mesme, Trump paralajmëron Netanjahun: Katari aleat i shkëlqyer i SHBA, ki kujdes!
Presidenti i SHBA, Donald Trump, u pyet nga gazetarët nëse kishte ndonjë mesazh për kryeministrin Benjamin Netanyahu në lidhje me sulmet ajrore izraelite javën e kaluar ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar.
Trump tha se Izraeli duhet të jetë “shumë i kujdesshëm” në mënyrën se si e trajton Katarin.
“Një mesazh për Bibin? Ata duhet të jenë shumë, shumë të kujdesshëm. Ata duhet të bëjnë diçka kundër Hamasit, por Katari ka qenë dhe është një aleat i shkëlqyer i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumë nuk e dinë,” tha Trump, pak ditë pas sulmit ajror të paprecedentë të Izraelit në një kompleks banimi në Katar, në Doha, ku ndodheshin drejtues të lartë të lëvizjes palestineze Hamas.
Presidenti amerikan, i cili priti kryeministrin e Katarit në New Jersey, u tha gazetarëve se Katari ka qenë një aleat i shkëlqyer dhe se Izraeli, si dhe të tjerët, duhet të jenë shumë të kujdesshëm.
“Kur sulmojmë njerëz, duhet të jemi të kujdesshëm,” u shpreh Trump.
Në ditën e 710-të të konfliktit në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite, IDF, konfirmoi sulmin në një ndërtesë në qytetin e Gazës mbrëmjen e së dielës, pasi sipas saj ajo po përdorej nga Hamasi.
Ndërkohë, transmetuesi publik izraelit “Kan” ka bërë me dije se përpara operacionit izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës, Hamasi ka zhvendosur pengjet, gjë e cila u dëshmua edhe nga një video e publikuar nga grupi terrorist, ku një prej pengjeve ndodhej në sediljen e pasme të një makine.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




