Konjufca: Vendim i trishtueshëm dhe i padrejtë për ish-krerët e UÇK-së 

Kosovë | 1 orë më parë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si “të trishtueshëm dhe të padrejtë”.

Është një vendim vërtet i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të UÇK-së”, tha Konjufca pas daljes nga seanca gjyqësore, duke e përshkruar si një goditje të rëndë për Kosovën dhe për narracionin e saj mbi luftën çlirimtare.

Ai e quajti vendimin “gjykim të tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare”, duke theksuar se populli i Kosovës e ka përjetuar vetë luftën dhe e di se UÇK-ja nuk ka pasur mekanizma kriminalë për të cenuar ndonjë popullatë.

“Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar. Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës”, shtoi ai.

Konjufca kritikoi edhe procesin gjyqësor, duke rikujtuar se aktakuza ishte ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe duke e cilësuar vendimin si “dënime drakonike”. Sipas tij, ky vendim jo vetëm që dëmton drejtësinë, por prek edhe legjitimitetin e luftës çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet e saj për liri.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme