Konstituohet Komisioni i Bujqësisë, fokusi te zhvillimi rural dhe siguria ushqimore

Aktualitet | 1 vit më parë

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural u konstitua zyrtarisht këtë të martë në Kuvend.

Kryetari i komisionit, Blendi Klosi, theksoi se fokusi kryesor do të jetë zhvillimi i zonave rurale.

“Natyrisht, ne kemi ndarjet tona dhe konceptet tona, mbase shumë të ndryshme në shumë gjëra, por besoj që kur vjen puna te të tria fushat tona — bujqësia, ushqimi dhe zhvillimi rural — në fund të fundit ne bashkohemi me problematikat dhe në zhvillimin që duhet të marrin. Ne do të jemi të hapur. Do të jemi shumë luajalë. Do të lejojmë që në këtë komision të kemi të gjitha problematikat,” tha z. Klosi.

Ndërkohë, nënkryetari Xhelal Mziu u shpreh se bujqësia duhet të trajtohet jashtë politikës për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm në këtë sektor.

“Bujqësia ngelet elementi kyç jo vetëm për Shqipërinë, por kudo, sepse ka numrin më të madh të të punësuarve. Është kontributori më i madh në raport me GDP-në në Shqipëri,” deklaroi z. Mziu.

“A do të sillemi ne këtu si përfaqësues të atyre njerëzve dhe të mbrojmë interesat e atyre njerëzve, apo të sillemi si përfaqësues të një partie apo një pozicioni politik?” shtoi deputeti Ledjon Nallbati.

Sipas anëtarëve të komisioneve, ky komision i ri parlamentar ka në qendër hartimin e politikave për ushqimin, blegtorinë dhe peshkimin, si dhe zhvillimin, si dhe shqyrtimin e projekteve ligjore që lidhen me ekonominë e fshatit.

Konstituimi i komisionit vjen në një kohë kur bujqësia shihet si një motor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit, ndërsa rritja e prodhimit vendas dhe përmirësimi i sigurisë ushqimore janë vënë ndër prioritetet kryesore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme