Kontribute të pakta, pension i pjesshëm – Gjysma e pensionistëve në Shqipëri me mungesë vitesh pune
Mungesa e deklarimit të pagave, por edhe kontribute të pakta të sigurimeve shoqërore janë faktorët kryesorë që kanë sjellë pasoja tek mosha e tretë. Shifrat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se 353 mijë nga gati 640 mijë pensionistë që janë në total në Shqipëri, marrin një pagesë pleqërie të pjesshme për shkak të viteve të punës që nuk i plotësojnë dot.
Për shkak të viteve të pakta të siguruara dhe kontributeve të ulëta, vlera mesatare e pensioneve të pleqërisë në vend duket se qëndron në vendnumëro. Pensioni i pleqërisë urban në fund të 2024-ës ishte 20.123 lekë, në rritje me 514 lekë krahasuar me 2023-ën. Ndërsa pensioni rural u rrit me 435 lekë vitin e kaluar dhe arriti në 12.313 lekë, duke përfshirë këtu efektin e indeksimit që ndodh çdo vit në tetor.
Ndikim për vite të pakta të siguruara ka edhe puna në të zezë, ku si rezultat i fshehjes së pagës reale nga ana e punëdhënësve privatë apo bizneseve, ata që dalin në pension vuajnë pasojat.
Pensioni mesatar urban vitin e kaluar ishte sa 23% e pagës mesatare të vendit prej 86.984 lekësh ose sa 50% e pagës minimale prej 40 mijë lekësh që ishte në vitin 2024, ndërsa në raport me minimalen e këtij viti prej 50 mijë lekësh, vlera e pensionit urban zbret sa 40% e saj.
Kurse pensioni mesatar rural është sa 13% e pagës mesatare, dhe sa 30% e pagës minimale të vitit të kaluar, ndërsa në raport me 50 mijë lekë që është minimalja këtë vit, pensioni ulet në rreth 24%.
Referuar shifrave të INSTAT, tremujori i parë i vitit 2025 ka pësuar një rënie të numrit të të punësuarve që i përkasin moshës 30–60 vjeç krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




